Kore e Jugut/ Hakeruan 120 mijë kamera shtëpie, me to prodhuan përmbajtje s*ks**le, 4 të arrestuar

Katër persona janë arrestuar në Korenë e Jugut pasi dyshohen se kanë hakuar mbi 120,000 kamera shtëpish dhe biznesesh dhe kanë përdorur materialet për të krijuar përmbajtje seksuale për një faqe interneti jashtë vendit.

Policia njoftoi arrestimet të dielën, duke thënë se të akuzuarit kanë shfrytëzuar dobësitë e kamerave IP, si fjalëkalimet e thjeshta.

Kamerat IP, të njohura edhe si kamera shtëpie, janë një alternativë më e lirë ndaj kamerave CCTV. Ato lidhen me rrjetin e internetit në shtëpi dhe shpesh përdoren për siguri ose për të monitoruar fëmijët dhe kafshët shtëpiake.

Sipas raporteve, kamerat e hakuara ndodheshin në shtëpi private, dhoma karaoke, një studio Pilates dhe një klinikë gjinekologjike. Një deklaratë e Agjencisë Kombëtare të Policisë së Koresë së Jugut tregoi se katër të dyshuarit vepronin në mënyrë të pavarur dhe nuk kishin bashkëpunuar.

Njëri nga të dyshuarit akuzohet se ka hakuar 63,000 kamera dhe ka prodhuar 545 video me përmbajtje seksuale, të cilat i ka shitur për 35 milionë won (rreth 12,235 dollarë) në forma të aseteve virtuale.

Tjetri dyshohet se ka hakuar 70,000 kamera dhe ka shitur 648 video për 18 milionë won në asete.

Këta dy persona ishin përgjegjës për rreth 62% të videove të publikuara gjatë vitit të kaluar në një faqe interneti që shpërndante në mënyrë të paligjshme materialet nga kamerat IP.

Policia po vepron për të bllokuar dhe mbyllur faqen e internetit dhe po bashkëpunon me agjenci të huaja për të hetuar operatorin e saj. Po ashtu, janë arrestuar tre persona të tjerë, të dyshuar se kanë blerë dhe shikuar materialet përmes faqes.

“Hakuarimi i kamerave IP dhe xhirimi i paligjshëm shkaktojnë vuajtje të mëdha për viktimat dhe janë krime të rënda. Ne do t’i eliminojmë përmes hetimeve intensive,” tha Park Woo-hyun, kreu i hetimeve kibernetike në Agjencinë Kombëtare të Policisë.

“Shikimi dhe posedimi i videove të xhiruara në mënyrë të paligjshme është gjithashtu krim i rëndë, prandaj do të hetojmë aktivisht,” shtoi ai.

Autoritetet kanë vizituar dhe njoftuar personalisht viktimat në 58 lokacione, duke i informuar për incidentin dhe duke u dhënë udhëzime për ndryshimin e fjalëkalimeve.

Ata po ndihmojnë viktimat të fshijnë dhe bllokojnë përmbajtjen dhe po punojnë për të identifikuar të tjerët që mund të jenë prekur.

“Mbi të gjitha, është thelbësore dhe efektive që përdoruesit individualë që kanë instaluar kamera IP në shtëpi ose biznese të jenë vigjilentë dhe të ndryshojnë menjëherë dhe rregullisht fjalëkalimet e aksesit,” tha Agjencia Kombëtare e Policisë./BBC