Çfarë është koha? Filozofi sugjeron që është një projeksion psikologjik
Çfarë është koha? Shpesh flasim sikur koha "rrjedh" dhe sikur ne udhëtojmë përmes saj: "koha fluturon", "koha nuk pret", "me kalimin e kohës". Por kur përpiqemi ta shpjegojmë këtë "rrjedhje", hasim një problem: çfarë po rrjedh në të vërtetë? Uji rrjedh sepse lëviz, por koha nuk është një lëng apo një objekt. Po kështu, ne flasim për të ardhmen, të tashmen dhe të kaluarën sikur janë vende ku ngjarjet ndodhin e më pas zhvendosen, por askush nuk mund të tregojë se ku ndodhen fizikisht e ardhmja dhe e kaluara.
Njerëzit kanë menduar për kohën që nga lashtësia. Parmenidi, një filozof i Greqisë së lashtë, pyeste: nëse e ardhmja nuk ekziston ende, dhe e kaluara nuk ekziston më, si mund të kalojë diçka nga e ardhmja në të tashmen e më pas në të shkuarën? Ai besonte se kjo mënyrë e të menduarit krijon kontradikta. Ide të ngjashme shfaqen edhe te Aristoteli, në filozofinë hindu Advaita Vedanta dhe te Shën Augustini.
Në epokën moderne, Isak Njutoni mendonte se koha është një proces i vërtetë fizik që rrjedh pavarësisht se a e shohim apo jo, një lloj ore universale që mat lëvizjet e gjithçkaje. Por kjo pikëpamje u përmbys nga Albert Ajnshtajni.
Me teoritë e tij të relativitetit (1905 dhe 1915), Ajnshtajni tregoi se nuk ka një kohë të vetme universale. Shkencëtarët tashmë dinin se shpejtësia e dritës është gjithmonë e njëjtë, pavarësisht nga lëvizja e burimit të dritës. Për ta marrë këtë seriozisht, duhej pranuar se çdo lëvizje është relative. Kjo do të thotë se nuk ka "qetësi" absolute apo "lëvizje" absolute, gjithçka varet nga këndvështrimi i vëzhguesit.
Kjo shpjegohet nga shembulli i famshëm i vetëtimave: një person në stacion sheh dy vetëtima që bien njëkohësisht. Por një person në tren, që lëviz drejt njërës dhe largohet nga tjetra, nuk do t'i perceptojë ato si të njëkohshme. Të dy kanë të drejtë nga këndvështrimi i tyre. Prandaj, çfarë quhet "tani", si dhe sa kohë kalon mes dy ngjarjeve, varet gjithmonë nga vëzhguesi.
Sipas relativitetit, të gjitha momentet në kohë janë njësoj reale. Nga një këndvështrim teorik, çdo ngjarje, e shkuar apo e ardhshme, "po ndodh" për një vëzhgues të caktuar në një vend tjetër hapësinor. Kjo ide quhet eternalizëm. Sipas saj, nuk ka një "të tashme" absolute dhe nuk ka asnjë rrjedhje të vërtetë të kohës. Ne thjesht përjetojmë ndryshim sepse në momente të ndryshme kujtojmë gjëra të ndryshme.
Por atëherë lind pyetja: Nëse nuk ka rrjedhje të vërtetë të kohës, pse na duket sikur ekziston?
Një shpjegim është se kjo ndjesi është një projeksion psikologjik. Kjo nuk do të thotë se është një iluzion, si një mashtrim optik, por një mënyrë e gabuar e të kuptuarit të vetë përvojës sonë. Ashtu si me ngjyrat: një trëndafil i kuq nuk është "në të vërtetë i kuq"; ai thjesht pasqyron një gjatësi vale drite që truri ynë e përpunon si ngjyrë të kuqe. Ngjyra është mënyra jonë për ta përjetuar botën, jo një cilësi e brendshme e objektit.
Në të njëjtën mënyrë, filozofi që shkroi këtë artikull argumenton se ndjesia jonë për kalimin e kohës nuk është as reale, as mashtrim, por mënyra si truri ynë organizon përvojën. Ne nuk mund t'i përshkruajmë përjetimet tona pa përdorur konceptin e kohës, po aq sa nuk mund të flasim për botën pa përmendur ngjyrat.
Edhe pse fizika nuk lejon një "të tashme" që lëviz, përvoja jonë njerëzore e kërkon. Ne ndërtojmë një pamje të botës ku ngjarjet vijnë njëra pas tjetrës, sepse ky është modeli me të cilin mendja jonë e kupton realitetin.
Gabimi i vetëm është kur ngatërrojmë perspektivën tonë subjektive me natyrën e vërtetë të universit. Në realitet, sipas fizikës moderne, koha nuk rrjedh, por për ne, si qenie njerëzore, ajo duhet të duket sikur rrjedh që të mund të kuptojmë botën dhe veten. / The Conversation - Syri.net