Sergio Ramos drejt një aventure të bujshme në Serinë A? Dy gjigantë të futbollit italian në garë

Sergio Ramos mund të bëhet një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos së janarit. Sipas raportimeve të Fabrizio Romanos, ish-kapiteni legjendar i Real Madridit dhe përfaqësueses së Spanjës, i cili aktualisht luan për Monterrey-n në Meksikë, është gati të rikthehet në Evropë pasi kontrata e tij skadon në fund të këtij viti.

Risia më e madhe është se Ramos, tashmë 39 vjeç, ka hapur derën për një transferim në Serinë A, diçka që nuk kishte ndodhur në të kaluarën. Kjo ka bërë që interesimi i Milanit të marrë peshë, ndërsa në skenë ka dalë edhe një tjetër gjigant italian: Juventusi.

Milani, nën drejtimin e Massimiliano Allegri-t, është në kërkim të një mbrojtësi me përvojë për të mbuluar Matteo Gabbia-n. Në anën tjetër, Juventusi i Luciano Spalletti-t po përballet me mungesën e Bremer-it, i cili është operuar sërish në gju dhe do të rikthehet gradualisht. Kjo e bën një profil si Ramos tepër të vlefshëm.

Interesant është fakti se Ramos ka qenë pranë Serisë A edhe dy sezone më parë, kur menaxherët e tij e kishin propozuar tek Interi pas largimit nga Sevilla. Atëherë, zikaltrit e refuzuan me ftohtësi dhe Ramos përfundoi gjashtë muaj si lojtar i lirë para se të firmoste për Monterrey-n.

Aktualisht, ai ka luajtur rreth 1400 minuta këtë sezon dhe ka shënuar dy gola në 15 ndeshje, duke treguar se, pavarësisht moshës, ende gëzon një formë fizike solide. Tani mbetet për t’u parë nëse rikthimi i tij në futbollin europian do të bëhet realitet pikërisht në Itali.