Intervista në 360 gradë e Yamal-it: Nuk dua të jem Messi, edhe ai e di këtë, Spanja do ta fitojë...

Lamine Yamal u tregua i sinqertë në Shtetet e Bashkuara. Anësori i Barcelonës dhe i Kombëtares dha një intervistë të zgjeruar për “60 Minutes” në CBS. I riu nga Rocafonda iu përgjigj pyetjeve për jetën e tij aktuale, fillimin e karrierës, të tashmen dhe një nga ëndrrat e tij më të mëdha: Botërori në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Këto ishin deklaratat e tij.

Si po shkojnë mësimet për patentën?

Është e vështirë sepse kam shumë kohë pa mësuar që kur e lashë shkollën e mesme. Duhet të filloj me pjesën teorike, hap pas hapi. Nuk kam nxitim, por dua të ndiej atë lirinë e të voziturit vetë.

Çfarë makine do të ngasësh?

Shpresoj të jetë ajo që duan shokët e mi që ta shijojnë edhe ata. Nuk do të jetë Lamborghini, por me një Audi, Mercedes apo Cupra.

Kur luan, argëtohesh aq shumë sa duket nga jashtë?

Pa dyshim. Kur luaj është momenti më i mirë i ditës. Kur mund të luaj, të argëtohem me shokët e skuadrës. Kuptohet kur jam i lumtur në fushë dhe kjo shihet në lojën time.

Si do të e përshkruaje veten si lojtar?

Mendoj... argëtues. Argëtues është fjala. Luaj që njerëzit të argëtohen dhe të ketë spektakël në futboll.

Je sportist që argëton apo “showman” që është i mirë si sportist?

Sportist që argëton dhe që nuk ka për objektiv thyerjen e të gjitha rekordeve, shënimin e një milion golave apo një milion driblimeve. Dua të kënaqem dhe që fëmijët të duan të jenë si unë.

Cili do të thoje se është superfuqia jote në futboll?

Do të më pëlqente të isha në gjendje t’ua ndryshoja ditën njerëzve. Nëse dikush është i trishtuar dhe vjen në ndeshje, të më shohë duke luajtur dhe të ndihet më mirë kur të kthehet në shtëpi.

Nuk ka të bëjë me gola ose asiste... ka të bëjë me ndryshimin e gjendjes shpirtërore?

Nuk kam qenë kurrë lloj personi që del në fushë duke menduar “duhet të shënoj katër gola dhe të jap tri asiste”. Përkundrazi, mendoj “dua të kënaqem, dua të bëj atë që mësova dje, të bëj atë që bëja në park më parë, që njerëzit të argëtohen, unë të argëtohem me shokët e skuadrës dhe nëse mund të shënoj shumë gola, aq më mirë”. Por futbolli shkon përtej kësaj.

Kur ke tre mbrojtës para vetes, si i merr vendimet?

Përpiqem të kem besim. Edhe nëse shoh tre kundërshtarë, kurrë nuk mendoj se do të ma marrin topin. Edhe nëse ndodh shpesh, gjithmonë përpiqem t’i sulmoj. Lojë ime është e tillë. Do të isha lojtar tjetër nëse sa herë shoh dy a tre kundërshtarë para, do t’ia jepja topin. Mendoj si të zgjidh situatën sa më mirë dhe brenda spektaklit të bëj më të mirën për ekipin.

Duket si instinkt...

Po, është më shumë instinkt dhe vetëbesim.

Si ka qenë marrëdhënia jote me topin?

Që i vogël, mendoj se të gjithë fëmijët që lindin në një lagje apo qytet që nuk ka shumë burime, futbolli është gjithçka. I barazon të gjithë. Vjen nga familje me shumë apo pak mundësi, në fushë jeni të njëjtë, lidheni, krijoni miqësi. Shumë ndjenja varen vetëm nga një top dhe një portë. Është një ndjenjë dashurie. Është dashuria ime e parë dhe gjithmonë do të mbetet e tillë. Miqtë e mi, babai, nëna, unë jemi të dashuruar me futbollin. Është gjithçka në jetën time. Do të jetë gjithmonë me mua.

Cili është goli yt i preferuar?

Kam tre... mirë, katër. Por nëse duhet të zgjedh një, për nga rëndësia dhe bukuria, goli kundër Francës në Europian. Më pëlqeu shumë edhe ai ndaj Bryzhit, të mërkurën.

Të vjen keq kur i lë lojtarët kundërshtarë të “hanë pluhur”?

Në sezonin e kaluar, po luanim kundër një ekipi nga Koreja e Jugut. Në ato ndeshje përpiqem të jem 100% dhe shpesh rivali nuk është në nivelin tonë. Ndonjëherë më kërkojnë të frenoj pak. Nuk është keqardhje, sepse po luajmë futboll, por përpiqem të ngadalësoj, të luaj më shumë me pasime. Në fund, ai është një njeri. Po luan kundër meje dhe do të dalë kudo në rrjete. Ndonjëherë e ul ritmin. Por në një ndeshje të Champions-it nuk do ta bëja kurrë.

Çfarë të bën më të lumtur?

Të luaj futboll, pa dyshim. Është ajo që më bën të harroj gjithçka. Ndërsa jam në fushë, nuk mendoj për asgjë tjetër, vetëm për të luajtur, për të shijuar, për të bërë atë që dua më shumë. Futbolli më qetëson, më emocionon dhe më bën të ndihem vetvetja. Për mua është gjithçka.

Je adoleshent. Ndonjëherë, mbrojtësit e krahut që ke përballë janë 10–15 vite më të mëdhenj se ti, me fëmijë në shtëpi, dhe ti i driblon...

Në fund mendoj se edhe ata kanë shokë, sigurisht. Po të isha unë mbrojtës i krahut, nuk do të më pëlqente që një lojtar shumë më i mirë se unë të kalonte gjithë kohën pranë meje. Do t’i thosha të ngadalësonte pak, sepse pastaj shokët e mi do të më bënin meme.

Debutove kur ishe vetëm 15 vjeç... Ishe i emocionuar?

Të them të drejtën, kur hyra në fushë jo, por gjatë nxehjes po. Kur pashë ‘Camp Nou’-n, kur kuptova se po afrohej momenti im, se ishte ëndrra që kisha pasur gjithmonë dhe që po bëhej realitet. Po, e ndien nervozizmin, por është një lloj i mirë. Ajo ndjesia sikur të digjet barku dhe koha të ecë shumë shpejt. Është një përzierje adrenaline, emocionesh dhe iluzionesh.

Kur ishte hera e fundit që ke ndier frikë?

Kur u ktheva nga pushimet dhe duhej të shkoja përsëri në shtëpinë e nënës sime.

Cila është më e vështirë: të luash te Barcelona apo të jesh fëmija i vogël që luan me më të rriturit në lagje?

Pa dyshim kur isha në Rocafonda. Ishte një lagje ku askush nuk e dinte ç’do të bëhej me jetën e vet. A do të isha futbollist, arkitekt, piktor, apo do të gjeja punë fare. Luanim për qejf dhe të gjithë donim të bëheshim futbollistë. Askush nuk mendonte se do të arrinte deri këtu. Ishte situatë më e vështirë. I shihje prindërit duke punuar, që nuk mund të ishin gjithmonë me ty, dhe ndieje nervozizëm. Pasiguri për atë që të pret.

Duke u kthyer pas, çfarë bëre gjatë pushimeve që të bëri të ndiheshe keq kur shkove te nëna?

Të isha shumë kohë larg shtëpisë. Vetëm kaq mjafton që mamaja të më thoshte diçka.

Çfarë kujton nga trenat që merrje me babanë për të shkuar të luaje me Barcelonën?

Çohesha shumë herët sepse udhëtonim me tren. Ha një mëngjes të shpejtë, merrja patinetën elektrike dhe zbrisja me të deri te stacioni, sepse ishin 20 minuta larg. Mbaja gjithmonë një batanije me vete. Nga Mataró në Hospitalet ishte një orë udhëtim dhe flija. Nga Hospitalet në Sant Feliu filloja ngrohjen, sepse ndeshja niste për një orë. Pra, ishin aventura me babin. Më e vështira ishte kthimi. Rruga ishte e gjatë dhe unë isha shumë i uritur.

304, çfarë përfaqëson?

Është simboli i lagjes sonë. Kodi postar. Në Barcelonë të gjithë fillojnë me 08, ndërsa yni është 08304. Njëherë, mbaj mend që isha ndëshkuar nga kombëtarja dhe nuk mund të luaja as me Spanjën as me Barçën. Doja të bëja një festim për t’u shprehur, dhe shoku im më i mirë, Sohaib, më tha: “Bëje këtë”. E bëra dhe funksionoi. Që aty mbeti.

A mendon se njerëzit e Rocafondës janë të harruar?

Besoj si të gjitha lagjet që nuk kanë shumë mundësi. Ne nuk jemi Sarrià, nuk jemi Paseo de Gracia. Jemi ata që jemi dhe kjo na mjafton. Ato lagje kujtohen më shumë sepse prodhojnë jo vetëm futbollistë, por njerëz të rëndësishëm. Ne jemi ata që luftojmë më shumë për një jetë më të mirë dhe që pastaj e shijojmë bashkë. Mund të jetë e harruar nga të tjerët, por kurrë nga ata që jemi prej aty. E dimë nga vijmë dhe jemi krenarë për këtë.

A e sheh veten si fytyra e një Spanje të re?

Është relative. Nuk e vendos dot vetë. Që kur je fëmijë, njerëzit vendosin kush është ylli i kombëtares. Jo lojtari vetë. Mendoj se varet nga njerëzit, nëse duan të emocionohen me ty. Jam shumë i lumtur që sjell emocion te spanjollët dhe te culés. Jam një nga mundësitë. E di që kur shkoj në një stadium, shumë njerëz vijnë të më shohin. Nuk e kam në mendje këtë gjë. Nëse njerëzit emocionohen me mua, atëherë do të ndodhë. Jam i hapur, por e vendos populli.

Sa pranë ishe që të luaje për Marokun në vend të Spanjës?

Në fakt, ishte diçka e çuditshme. Po më sillej në kokë ideja “mund të luaj për Marokun”. Pikërisht në atë kohë, Maroku kishte dalë në gjysmëfinale të Botërorit. Por në momentin e së vërtetës, nuk dyshova kurrë. Me gjithë respektin për Marokun, gjithmonë kam dashur të luaja Europianin, të luaja këtu në Europë. Futbolli europian ndiqet më shumë dhe është më afër futbollit ndërkombëtar. Duke qenë te Barça, doja të fitoja një Europian, gjë që falë Zotit e arrita, dhe tani dua të luaj një Botëror me shanse për ta fituar. Maroku është vendi im, do ta dua gjithmonë. Nuk do të ishte asgjë e çuditshme të luaja atje, por Spanja po luante Europianin dhe unë jam rritur në Spanjë. E ndiej edhe këtë vend si timin.

Le të flasim për driblimet e tua. Si i stërvitesh?

Ajo më e çuditshmja është që kur isha i vogël nuk driblova shumë. Nuk më ke parë kurrë të kaloj shumë kundërshtarë. Shënoja shumë gola, vrapoja shumë dhe kisha vizion të mirë loje. Që i vogël, duke parë Messin, jepja pasime të ndryshme. Kam parë lojtarë që jepnin asistime të bukura, por Messi jepte pasime goli. Pasimet me të jashtmen ia kam parë shumë Modric-it. Këto më dukeshin më interesante sesa driblimet. Isha më shumë lojtar i mendjes.

16 vjeç, luan në Europian dhe fle në autobus... Si shpjegohet?

Besoj se asnjëherë nuk mendova “je 16 vjeç dhe po luan Europianin”. E morëm si diçka natyrale. Hipja në autobus, shikoja rrjetet sociale, vija muzikë dhe më zinte gjumi nga lodhja. Shkoja në fushë, luaja, kënaqesha dhe kthehesha në hotel. Nuk mendova asnjëherë se po luaja Europianin. Mendova se ishte turneu i ëndrrës sime dhe do të shijoja çdo moment.

Nuk beson te presioni?

Presioni është mendësor. Është diçka që e ka secili brenda vetes. Nuk e kam ndier kurrë dhe nuk e di nëse do ta ndiej ndonjëherë. S’e kam atë ndjesi brenda. Mendoj se prindërit e mi kanë pasur presion. Ishin të rinj, më kishin mua, duhej të mbanin familjen, të punonin, të më bënin të lumtur, të më blinin gjërat. Ky është presion i vërtetë, dhe i keq. Unë nuk mund të ndiej presion duke luajtur futboll. Mundohem të kënaqem dhe të mendoj se miqtë e mi kanë kaluar më keq se unë, ndërsa unë jam duke luajtur futboll.

Çfarë pritshmërish ke për Botërorin tënd të parë?

Shumë të mira. Ka kohë që Spanja nuk shkonte në një Botëror si kandidate për ta fituar. Shoh që vendi është i emocionuar. Edhe unë jam. Nuk mund të mbërrija në një moment më të mirë. Ndihem mirë, ndihem i rëndësishëm. Kam shumë dëshirë të nisë.

Ali, Jordan… atletë shumë më të mëdhenj që garantonin fitoren. Të pyes: do ta fitojë Spanja Botërorin?

Po

A do të shkosh në Botëror me aparatin dentar?

Do të duhet të pyes dentistin tim. Mendoj se më rrinë mirë. Atëherë po, do t’i mbaj.

Nga mënyra si ke luajtur deri tani, pritshmëritë janë të çmendura...

Presioni është i secilit. Ashtu si pritshmëritë. Ka njerëz që i vendosin ato, por unë nuk kam asnjë. Pritshmëritë janë të këqija. Kur i përmbush, mbetesh pa objektiva. Kur nuk i përmbush, të thyen. Unë kam besim se mund të arrij çfarë dua.

A të ndihmon mentaliteti për të mbijetuar?

Në jetë ka shumë situata ku nuk e pret të ndodhësh. Personaliteti im më ka ndihmuar të mbijetoj. Kur jam keq, mendoj për të mirën. Kjo më ka ndihmuar të mos bie thuajse kurrë. Në futboll është gjëja më e rëndësishme. Asnjë ditë nuk kam shkuar në shtrat i shkatërruar ose i trishtuar. Gjithmonë mendoj se nesër do të jetë më mirë dhe fundjavën do të luaj mirë. Më ka ndihmuar shumë në këtë botë kaq të vështirë.

Lojtarët e suksesshëm kanë njerëz rreth tyre që u thonë “jo”. Kush është ai person për ty?

Në fakt, të gjithë njerëzit e rrethit tim më thonë “jo”. Nëse dua të dal: jo; dua të shkoj të ha: jo. Pyetja është: kujt i bindem? Nënës.

Mamaja është mbretëresha...

Pa dyshim.

Ka gjëra që nuk ndryshojnë, pavarësisht sa gola shënon...

Asaj s’i interesojnë golat. Ajo komandon dhe unë jam i lumtur me këtë.

A mund të jesh ndonjëherë një djalë normal 18-vjeçar?

Është e vështirë. Edhe po të dua, nuk mund të jem. Një djalë 18 vjeç del nga shkolla dhe shkon në shtëpi. Unë dal nga stërvitja dhe kam katër paparacë në derë. Hap televizorin dhe dal aty. Dal në rrugë dhe shoh një fëmijë me fanellën time. Dua të shkoj të pij diçka dhe nuk mundem sepse njerëzit më ndalojnë, siç është normale. Mund të kërkoj gjërat e thjeshta si të luaj PlayStation, të ha me mamin, të jem me vëllanë, por sinqerisht, nuk mund të jem kurrë një djalë normal i moshës sime, sepse as njerëzit nuk më shohin të tillë, as unë nuk mund të sillem si i tillë.

Nuk kemi folur ende për Messin...

Më habit. Kishte momente kur mund ta lidhe intervistën me të dhe s’e bëre. Po e prisja pyetjen. Është intervista ku ka dalë më vonë tema.

Ke dëgjuar shprehjen “futbollisti e respekton futbollistin”?

Mendoj se e respektoj për atë që është në futboll. Nëse takohemi, do të ketë respekt të ndërsjellë. Për mua, ai është më i miri i historisë. Ai e di që jam lojtar i mirë dhe që e respektoj. Është diçka e ndërsjellë. Dhe të dy e dimë që unë nuk dua të jem Messi. Dua të ndjek rrugën time. Nuk dua të luaj si ai, as të mbaj numrin 10 për shkak të tij. Asgjë nga këto.

Kur të shohin duke luajtur, shihet se kur ndeshja është e tensionuar, ti mund të bësh diçka, të krijosh magji. Ku e ke mësuar këtë?

Në lagjen time. Aty ku luaja ishin muret, ku njerëzit uleshin. Nuk kishte ndjesi më të mirë sesa t’i ngriheshe njerëzit në këmbë, t’i bëje të qeshnin me lëvizjen tënde. Diçka që më rikthehet shumë ndër mend është kur jam në stadium dhe publiku ngrihet i habitur nga ajo që kam bërë.

Duket që nuk të bën përshtypje të jesh ‘yll’...

Jo, sinqerisht. Madje më pëlqen.

Përveçse futbollist i jashtëzakonshëm, ndez sërish pasionin e tifozëve. Je i vetëdijshëm për ndikimin që ke?

Në ekipin tim të punës kam një person që quhet Bernardo, dhe më thotë sa herë që luaj se po i rikthej dashurinë për futbollin. Ma kujton gjithmonë. Shumë njerëz më thonë se e shikojnë futbollin për mua. Mamaja ime tani i sheh të gjitha ndeshjet, ndërsa më herët shihte ndonjëherë. Shumë gra më ndalojnë në rrugë e më thonë se e shikojnë futbollin, gjyshe, gjyshër... Ishte një periudhë kur fëmijët nuk vishnin më atlete futbolli për të shkuar në shkollë, një gjë që dikur e bënin të gjithë. Tani është rikthyer. Turistët po blejnë fanellën me numrin 10 të Barcelonës. Gjithçka po rikthehet, dhe kjo më bën të kuptoj sa ndikim kam.

Disa thonë se jeta jote po ecën shumë shpejt dhe duhet të ngadalësosh. Çfarë do t’u thoje?

Do t’u thosha kështu: nëse ti ke një punë dhe të pyesin “do të bëhesh shef?”, çfarë do të përgjigjeshe? “Po apo jo, po ecën shumë shpejt?” Ja, kjo është edhe përgjigjja ime.

Si do të doje të të shihnin fëmijët?

Mendoj se në futboll ka shumë pak sinqeritet. Dua të më shohin si dikë të sinqertë që thotë atë që mendon, jo atë që tjerët duan të dëgjojnë. Si dikë që i do të vetët, që është e rëndësishme. Dikë që dëshiron të kënaqet, sepse nëse ke këtë jetë, duhet ta shfrytëzosh. Nuk mendoj çfarë thonë të tjerët. Dua të vlerësoj atë që kam dhe të jem i hapur. Jo dikush që flet ndryshe ‘on-line’ dhe ndryshe kokë më kokë.