Kepi: Shqipëria pa strukturë antidrogë, narkotrafikantët kanë hyrë në politikë. Ndërkombëtarët ngrejnë alarmin...
Situata e trafikut të drogës në Shqipëri, pavarësisht reformave të trumbetuara në drejtësi dhe polici, vijon të paraqesë problematika të thella institucionale, strukturore dhe politike, të cilat sipas raporteve të agjencive ndërkombëtare e pozicionojnë vendin si një pikë të nxehtë të trafikut europian.
E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, gazetarja Alba Kepi u shpreh se Shqipëria vazhdon të jetë qendër raportimesh të Europol-it, Interpol-it dhe antimafieve europiane, ndërkohë që mungon ende një strukturë e posaçme dhe e përgjegjshme kundër narkotrafikut brenda Policisë së Shtetit. Ajo theksoi se ndryshe nga Italia, ku drejtuesit e strukturave antidrogë raportojnë periodikisht në parlament dhe mbajnë përgjegjësi direkte, në Shqipëri ekziston një boshllëk i qëllimshëm ligjor dhe administrativ, i cili u jep terren të lirë grupeve kriminale që të veprojnë, të lëvizin kapitalet e paligjshme dhe të riciklojnë fitimet.
Gazetarja paralajmëroi se narkotrafikantët shqiptarë kanë kaluar në një fazë të re fuqizimi, duke u shndërruar nga individë me të kaluar kriminale në biznesemë të dukshëm e më pas në investitorë në politikë, me synimin për të blerë status dhe influencë. Ajo përmendi fenomenin e identiteteve të dyfishta që u lejojnë grupeve kriminale qarkullimin e lirë, si dhe valën e vrasjeve në qytete si Elbasani, Tirana dhe Vlora, të cilat lidhen me përplasje të brendshme mes klaneve.
Ajo u shpreh se, sipas autoriteteve të huaja, narkotrafiku dhe riciklimi i kapitaleve të mëdha po ndikojnë drejtpërdrejt politikën shqiptare, duke vendosur kush qeveris, si qeveriset dhe kush ulet në parlament çka përbën, siç e cilëson ajo, “dramën aktuale kombëtare”.
Pjesë nga deklarata:
Kanë detyrimin të bëjnë relacionin mujor, gjashtëmujor dhe vjetor pranë parlamentit italian. Kanë detyrimin e bashkëpunimit me antimafien, pasi janë mjaft të lidhura. Kurse në Shqipëri ky handikap i madh sjell pikërisisht edhe këtë çuditje, ndoshta edhe këtë mos… ose mosorganizim. Pra, pyetja që hedhim mbas gjithë këtyre viteve që trumbetohet reformimi i sistemit të drejtësisë, reformimi i policisë penitenciare, reformimi i policisë: si ka mundësi që Shqipëria vijon të jetë në qendrën e raporteve jo vetëm të italianëve, por edhe të të gjitha departamenteve, policive, antimafieve europiane, Europol, Interpol e të tjerë, si një vend mjaft problematik sa i takon trafikut, dhe nuk kemi një strukturë specifike që të luftojë trafikun e drogës?
Pra, unë mendoj se në këtë gjithë… apo pyetja që unë hedh është e qëllimshme, sepse mendoj se gjithë këto vite e kanë konfirmuar se sa e rrezikshme dhe sa problematike edhe për ekonominë shqiptare është ky trafik ilegal apo këta persona narkotrafikantë, që një ditë të bukur shfaqen edhe si biznesmenë të fuqishëm në Shqipëri. Kjo është baza jo vetëm ligjore, por institucionale, administrative, që i bashkohet edhe këtyre operacioneve të kryera nga autoritetet e antimafias italiane dhe të antidrogës italiane, që sjellin këtë realitet në nivel jo vetëm kombëtar italian, por edhe europian, dhe këtë realitet në Shqipëri, ku kemi jo vetëm një kaos, por ndoshta edhe një… nuk e kuptoj… njerëz të cilët kanë një identitet të dyfishtë, pra kanë dy-tre emra, njerëz të cilët hyjnë e dalin nga kufijtë territorialë të Shqipërisë pikërisht nga favori që u japin këta dy emra.
Kemi parë vrasjet e shumta që u kryen; nuk kemi vetëm atë që ndodhi tashmë në Elbasan, kemi atë në Tiranë, atë në Vlorë… Pra, u bënë disa raste gjatë ditëve të fundit. Ka diçka që nuk shkon. Është e qëllimshme? Është paaftësi? Apo çfarë po ndodh në atë vend?
Prandaj e lidha edhe me strukturimin e policisë. Unë mendoj se është e qëllimshme që nuk ka një departament dhe një drejtor përgjegjës për antidrogën në Shqipëri. Pra, për t’i lënë të lirë të bëjnë çfarë të duan dhe të lëvizin si të duan këtë kapital të larë, parash, fitimesh, riciklimesh që thotë edhe i ftuari në studio, mendoj se është e qëllimshme. Është e lejuar nga politika, pasi ti nuk mund të bësh dhe të lejosh një gjë të tillë kur flet se po vë një ministre robot, diellën, inteligjencë artificiale për të luftuar korrupsionin, ndërkohë që halli më i madh apo njolla më e madhe që Shqipëria ka në nivel botëror është droga, plantacionet me kanabis, tranzitimi, fuqizimi i klaneve mafioze shqiptare në nivel ndërkombëtar, mafioz, në nivel kartelesh të latino-amerikanëve. Në këtë moment ti nuk ke një strukturë të posaçme brenda Drejtorisë së Policisë së Shtetit për t’u bërë përgjegjëse për atë që ka ndodhur. Dhe këtu nis problemi i parë madhor.
E dyta, për ta lidhur: a po i ndihmon, apo i lejon çunat? Unë mendoj se në këto momente ai vijon t’i lërë në këtë kaos, sepse i intereson ky kaos për të harruar kaosin e madh dhe hallin e madh që ka brenda qeverisë dhe sepse i duhet të vijojë me këtë lloj “mirëqenieje” në thonjëza ekonomike, që nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër e madhe, një fluks i madh i cili do të rëndojë vitet më vonë, siç thonë edhe ekonomistët, ekspertët më të mirë, se kjo ekonomi e paligjshme do të kthehet në bumerang për gjithçka në këtë vend.
Prandaj ne flasim e riflasim. Dhe për të vijuar idenë e të ftuarit në studio, unë mendoj se jemi në një status tjetër. Jemi në statusin ku këta narkotrafikantë, këta biznesmenë apo narkotrafikantë të quajtur biznesmenë, kanë arritur tashmë të investojnë jo në lokale, jo në restorante, jo në hotele, jo në kulla, por investojnë në politikë. Ata po investojnë në blerjen e statusit të tyre social. Ata, nga njerëz hiq e njëherësh, të cilët i kanë bërë vetëm dëm këtij kombi dhe këtij vendi, po investojnë në politikë për të pasur qasje në politikë, në pozicion të caktuar. Po investojnë jo vetëm me të afërmit e tyre, sepse ndoshta dosja e tyre penale është mjaft e ndyrë dhe nuk mund të arrijë dhe të lejohet, por ka raste që kanë arrogancën të arrijnë, por po investojnë në këtë drejtim.
Dhe ky është risku dhe alarmi i madh që vjen nga autoritetet e huaja: bëni shpejt, apo jeni të vonuar, sepse ky narkotrafik kaq i madh dhe ky aktivitet kaq i fuqishëm i riciklimit, në ato nivele që mjaft mirë i shpjegoi i ftuari juaj i nderuar në studio, po dëmton ekonominë e ligjshme. Po influencon politikën. Janë ata tashmë që vendosin kush do të qeverisë, si do të qeverisë, kush do të ulet në një pozicion, kush do të ulet në parlament dhe kjo është, mendoj, drama kombëtare aktuale.
Prandaj them: çdo gjë nis nga strukturimi. Në qoftë se ti bën një strukturë të fortë të Policisë së Shtetit jo SPAK, Policisë së Shtetit e cila të ketë një drejtor, i cili është përgjegjës për narkotrafikun, pasi unë e gjeja komplet absurde që më 12 apo 13 nëntor, pra pak ditë më parë, në Romë të nënshkruhej një memorandum për misionin kundër drogës dhe nga ana e palës italiane ishte drejtori përgjegjës, ai që ka shkarkimin, pezullimin, heqjen nga puna, përgjegjësinë, nëse në Itali ka një fluks të jashtëzakonshëm të keqësimit të trafikut të drogës; kurse në Shqipëri kemi një zyrtar të lartë, funksionarin e lartë, i cili nuk ka atë taban ose përgjegjësi, sepse ai shumë mirë mund të mos e shkarkojë dhe të tjerët. Pra, këtu është një bazë ligjore, bazë strukture, e cila është e lënë qëllimisht kështu. Prandaj jemi në këtë rrumpallë dhe në këtë kaos.