Real Madrid, vetëm një fitore në pesë ndeshjet e fundit, klubi konfirmon besimin te Xabi Alonso

Qetësia që dukej se ishte rikthyer te Real Madridi gjatë tri ditëve të fundit është zhdukur sërish. Euforia për katërgolëshin e Mbappé-së është shuar nga barazimi zhgënjyes kundër Gironës, rezultat që ua ka marrë madrilenëve kryesimin e LaLigës në favor të Barcelonës së Hansi Flickut. Vetëm pak javë më parë, ekipi i Xabi Alonso-s dukej në kontroll të plotë, me pesë pikë avantazh dhe një ambient të bashkuar. Sot, pesë ndeshje me vetëm një fitore kanë krijuar pasiguri dhe kanë ngritur dyshime të reja.

Barazimi me Gironën, skuadër që po kalon moment të vështirë, ka goditur ndjeshëm si lojtarët, ashtu edhe drejtuesit. Bisedimet e shumta të ditëve të fundit, të udhëhequra nga vetë Florentino Pérez, kishin rikthyer besimin dhe bindjen se një fitore e madhe do të mbyllte çdo polemikë. Por disa vendime arbitrare, veçanërisht penalltia e mundshme e padhënë për Rodrygo-n, ndezën sërish tensione dhe zhgënjim, duke e penguar Realin të realizonte përmbysjen.

Në Valdebebas theksojnë se kjo ndeshje ishte ndryshe nga disfatat e rënda kundër Liverpool-it dhe Rayo Vallecano-s: skuadra luftoi, kërkoi tri pikët, por i mungoi shkëlqimi, qoftë në formacionin titullar, qoftë në zëvendësimet e Alonsos, të cilat nuk arritën të ndryshonin ritmin e lojës.

Sipas ‘AS’, besimi te Xabi Alonso mbetet i plotë, por situata duhet përmirësuar shpejt. Klubi vazhdon ndërkohë luftën e hapur kundër Federatës dhe CTA-së, i bindur se penalltia e dytë e padhënë është pasojë e klimës së tensionuar që është krijuar rreth polemikave të fundit.

Një ndalesë e rëndë, që shënon një moment pasigurie dhe humbjen, më shumë simbolike sesa matematikore, të kreut të kampionatit.