Paquetá 'shpërthen' pas përjashtimit me karton të kuq, kërkon ndjesë, por sulmon Federatën Angleze

Lucas Paquetá po përpiqet të kthejë faqe, por plagët emocionale mbeten ende të hapura. Mesfushori i West Ham-it ka publikuar një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, ku ka kërkuar ndjesë për përjashtimin e marrë në humbjen 2-0 kundër Liverpool-it në Anfield. Kartoni i kuq erdhi pas dy të verdhëve të njëpasnjëshme për protesta, një episod që e ka prekur thellë jo vetëm për situatën brenda fushës, por edhe për barrën psikologjike që e shoqëron prej kohësh.

Paquetá ka kujtuar se vetëm së fundmi është shpallur i pafajshëm në çështjen e dyshuar për trukime, një histori që gati dy vite i ka rënduar karrierën dhe jetën. Ai shprehu zhgënjimin e tij të thellë për mungesën totale të mbështetjes psikologjike nga Federata Angleze gjatë kësaj periudhe të vështirë.

“Është e pabesueshme të shohësh jetën tënde të kompromentuar për dy vite pa asnjë lloj përkrahjeje nga FA… Kjo sjellje qesharake është ndoshta pasqyra e asaj që kam kaluar”, shkroi ai, duke sqaruar se frustrimi i grumbulluar ndikoi drejtpërdrejt në reagimin që çoi në përjashtim.

Pavarësisht kritikave të forta, braziliani ka marrë përgjegjësinë e tij, duke kërkuar ndjesë ndaj bashkëlojtarëve, tifozëve dhe klubit që e la në inferioritet numerik në një ndeshje kaq të rëndësishme.

 

Sa i përket trajnerit Nuno Espírito Santo, ai ka zgjedhur të mos komentojë publikisht. Strategu portugez dëshiron të bisedojë fillimisht me vetë lojtarin, të kuptojë gjendjen e tij emocionale dhe të qartësojë çdo detaj përpara se të japë një qëndrim zyrtar.