Radhë të gjata në Kakavijë: Qytetarët presin më shumë se dy orë për të kaluar kufirin
Radhë të gjata dhe vonesa të konsiderueshme janë krijuar sot në pikën kufitare të Kakavijës, ku qytetarët raportojnë se po presin mbi dy orë për të kaluar në territorin grek. Situata është shkaktuar nga puna e ngadaltë e palës greke, e cila aktualisht po operon vetëm me dy sportele, duke krijuar fluks dhe pritje të stërzgjatura.
Udhëtarët thonë se lëvizja e mjeteve është tepër e kufizuar dhe radha është zgjeruar ndjeshëm që gjatë orëve të para të ditës. Për shumë prej tyre, pritja e gjatë po shkakton shqetësime, sidomos për ata që udhëtojnë me fëmijë ose kanë orare pune në Greqi.
Sipas qytetarëve në radhë, autoritetet greke nuk po i përshpejtojnë procedurat, ndërsa sportelet funksionojnë me kapacitet minimal, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të kalimit.
Nga ana tjetër, pala shqiptare ka vijuar punën normalisht, ndërsa fluksi i lartë i mjeteve dhe procedurat e palës greke po mbajnë të bllokuar një numër të madh udhëtarësh.
Pritet që situata të normalizohet në orët në vijim, nëse pala greke hap sportele shtesë për përpunimin e dokumenteve.