‘Zgjidhje me dy shtete’, Papa: Turqia, rol të rëndësishëm për paqen në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë
Në bordin e aeroplanit papnor që fluturonte nga Stambolli për në Bejrut, Papa Leo XIV teksa falënderoi autoritetet e Turqisë për mikpritjen, iu përgjigj një sërë pyetjesh të gazetarëve në udhëtimin e tij të parë Apostolik.
Gjatë diskutimit dhe interesimet të gazetarëve në bordin e avionit papnor, Papa Leo u shpreh optimist për paqe në Ukrainë dhe Gaza, si dhe duke konfirmuar dëshirën për të festuar
Më poshtë vijon një transkript dhe përkthim i konferencës për shtyp:
Papa Leo XIV: Mirëdita të gjithëve. Do të flas anglisht për të filluar; mendoj se shumica prej jush më kuptoni. Jam i lumtur t'ju përshëndes. Shpresoj që të gjithë të keni kaluar një kohë po aq të mirë në Turqi sa unë. Mendoj se ishte një përvojë e mrekullueshme.
Siç e dini, arsyeja kryesore për të ardhur në Turqi ishte 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë. Ne e patëm atë festë madhështore, shumë të thjeshtë por megjithatë shumë të thellë, në vendin e një prej bazilikave të lashta të Nikesë për të përkujtuar ngjarjen e madhe të marrëveshjes së të gjithë bashkësisë së krishterë dhe të rrëfimit të besimit, Kredon Nikea-Kostandinopojane.
Përveç kësaj, sigurisht, pati shumë ngjarje të tjera që festuam. Personalisht dua t'ju shpreh mirënjohjen time të gjithëve për të gjithë punën që u bë në planifikimin e vizitës, duke filluar me Nuncin, stafin, të gjithë ekipin nga Roma, sigurisht, që bëri të gjithë organizimin, por në një mënyrë shumë të veçantë qeverinë e Turqisë, Presidentin Erdogan dhe shumë njerëz që ai i vuri në dispozicionin tonë për t'u siguruar që udhëtimi të ishte një sukses i plotë, helikopteri i tij personal, shumë mjete transporti, organizimi etj., prania e ministrave në momente të ndryshme gjatë vizitës, kështu që ishte, mendoj, një sukses i madh.
Isha shumë i lumtur që pata momente të ndryshme me Kishat e ndryshme, me komunitetet e ndryshme të krishtera, me Kishat Ortodokse, që kulmuan këtë mëngjes me Liturgjinë Hyjnore me Patriarkun Bartolomeu. Pra, ishte një festë e mrekullueshme dhe shpresoj që të gjithë ju të keni ndarë të njëjtën përvojë, kështu që faleminderit. Nuk e di nëse ka ndonjë pyetje ose koment, vetëm disa sepse po presin nga unë për më shumë foto.
Pyetje: Baris Seçkin ( Anadolu Ajansi ): Faleminderit shumë. Në fillim të udhëtimit tuaj papnor, ju përmendët paqen botërore dhe rajonale. Në këtë drejtim, cili është komenti juaj për rolin e Turqisë në arritjen dhe ruajtjen e paqes botërore dhe rajonale, dhe cilat ishin diskutimet tuaja me Presidentin Erdogan për këtë çështje?
PAPA: Duke ardhur në Turqi, dhe sigurisht tani në Liban, në këtë udhëtim kishte sigurisht një temë të veçantë, nëse do ta quani kështu, të qenit lajmëtar i paqes, dëshira për të promovuar paqen në të gjithë rajonin.
Turqia ka një numër cilësish, nëse mund ta quani kështu; është një vend me shumicë dërrmuese myslimanë, megjithatë ka praninë e shumë komuniteteve të krishtera atje, megjithëse një pakicë shumë e vogël, megjithatë njerëz të feve të ndryshme janë në gjendje të jetojnë në paqe. Dhe ky është një shembull, do të thoja, i asaj që mendoj se të gjithë do të kërkonim në të gjithë botën.
Të thuash që pavarësisht dallimeve fetare, pavarësisht dallimeve etnike, pavarësisht shumë dallimeve të tjera, njerëzit mund të jetojnë në paqe. Sigurisht, vetë Turqia ka pasur në historinë e saj momente të ndryshme kur nuk ka qenë gjithmonë kështu, megjithatë, ta kem përjetuar këtë dhe të kem qenë në gjendje të flas edhe me Presidentin Erdogan për paqen, mendoj se ishte një element i rëndësishëm, një element i vlefshëm i vizitës sime.
Pyetje: Seyda Canepa (NTV): Shenjtëria Juaj, me Presidentin Erdogan, përveç deklaratave zyrtare, a folët për situatën në Gaza, meqenëse Vatikani dhe Turqia kanë të njëjtin këndvështrim për zgjidhjen e dy popujve, dy shteteve? Për Ukrainën, Vatikani e ka nënvizuar më shumë se një herë rolin e Turqisë, duke filluar që nga hapja e korridorit të grurit në fillim të konfliktit. Pra, a shihni shpresë për një armëpushim në Ukrainë dhe për një proces më të shpejtë paqeje në Gaza në këtë moment?
PAPA: Sigurisht, folëm për të dyja situatat. Selia e Shenjtë për disa vite ka mbështetur publikisht propozimin e një zgjidhjeje me dy shtete. Ne të gjithë e dimë se në këtë moment Izraeli ende nuk e pranon këtë zgjidhje, por e shohim atë si të vetmen zgjidhje që mund të ofrojë - le të themi - një zgjidhje për konfliktin që ata përjetojnë vazhdimisht.
Ne jemi gjithashtu miq të Izraelit dhe përpiqemi me të dyja palët të jemi një zë ndërmjetësues, që mund të ndihmojë në afrimin e një zgjidhjeje me drejtësi për të gjithë.
Unë fola për këtë me Presidentin Erdogan; ai është padyshim dakord me këtë propozim. Turqia ka një rol të rëndësishëm që mund të luajë në të gjithë këtë.
E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën. Disa muaj më parë, me mundësinë e dialogut midis Ukrainës dhe Rusisë, Presidenti ndihmoi shumë në mbledhjen e të dyja palëve. Fatkeqësisht, ende nuk kemi parë një zgjidhje, por sot përsëri ka propozime konkrete për paqe. Dhe le të shpresojmë që Presidenti Erdogan, me marrëdhënien e tij me presidentët e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, mund të ndihmojë në këtë kuptim për të nxitur dialogun, një armëpushim dhe për të parë se si ta zgjidhim këtë konflikt, këtë luftë në Ukrainë.
Ai sugjeron (Matteo Bruni) që të them një fjalë pas takimit të rëndësishëm ekumenik në Nikea, dhe pastaj, dje në mëngjes, folëm për takime të mundshme në të ardhmen.
Njëra do të ishte në vitin 2033, 2,000 vjet që nga Shpengimi, Ringjallja e Jezu Krishtit; kjo është padyshim një ngjarje që të gjithë të krishterët duan ta festojnë. Ideja u mirëprit; ne ende nuk e kemi dërguar ftesën, por ekziston mundësia për të festuar, ndoshta në Jerusalem në vitin 2033, këtë ngjarje të madhe të Ringjalljes. Ka ende vite për ta përgatitur atë.
Megjithatë, ishte një takim shumë i bukur, sepse të krishterë të traditave të ndryshme ishin të pranishëm dhe patën mundësi të merrnin pjesë në këtë kohë.
Faleminderit të gjithëve./ Vatican News.