Prapaskenat/ Kedhi tregon njerëzit e besuar të Putin dhe Trump që po negociojnë në fshehtësi për Ukrainën
Larg vëmendjes së publikut dhe kanaleve zyrtare, një diplomaci paralele dhe diskrete po zhvillohet për të gjetur një zgjidhje për krizën në Ukrainë.
I ftuar në SYRI i BOTËS në SYRI TV me Dori Daka, eksperti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Nikola Kedhi, theksoi se këto bisedime, të njohura si “back-channel diplomacy” ose diplomaci e prapavijës, përfshijnë figura të fuqishme dhe të besuara nga qendrat e pushtetit në Moskë dhe Uashington, të cilët veprojnë pas dyerve të mbyllura për të testuar ujërat dhe për të hapur rrugë për negociata të mundshme formale.
Sipas Kedhit, në qendër të këtyre përpjekjeve nga pala ruse qëndron Kirill Dmitriev, një financier i njohur, drejtues i një fondi të madh investimesh dhe një prej njerëzve më të besuar të presidentit Vladimir Putin. Roli i tij në këto bisedime jozyrtare është thelbësor, duke përfaqësuar interesat e Kremlinit në diskutimet delikate me palën amerikane. Angazhimi i një figure të tillë të afërt me Putinin tregon rëndësinë e lartë që Moska i kushton këtij kanali sekret komunikimi.
Gjithashtu Kedhi bën me dije se nga ana amerikane, një nga aktorët kryesorë është Steve Ëitkoff, një manjat i pasurive të patundshme dhe mik i Presidentit Donald Trump. Ëitkoff, i cili vjen nga sektori privat, u emërua si i dërguar special, fillimisht për Lindjen e Mesme, ku u përfshi në arritjen e marrëveshjeve historike. Suksesi në atë rajon bëri që atij t'i besohej edhe portofoli i ndjeshëm i Ukrainës. Prania e tij nënvizon një strategji që mbështetet te figura jashtë rrethit tradicional diplomatik për të thyer ngërçet politike.
Këto zhvillime vijnë në një moment delikat, pas takimit të Gjenevës, i cili fillimisht krijoi një atmosferë optimizmi. Megjithatë, ndërsa kanalet zyrtare përballen me qëndrimet e palëkundura, veçanërisht të Rusisë, këto negociata të fshehta, të udhëhequra nga emisarë të fuqishëm, përfaqësojnë një përpjekje thelbësore për të mbajtur dialogun gjallë dhe për të kërkuar rrugëdalje nga një prej krizave më të rënda ndërkombëtare.
Intervista:
Kedhi: Të ndalemi te ajo që ndodh përpara se palët të ulen në tryezën e bisedimeve. Në qoftë se për shembull, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk flasin zyrtarisht me njëra-tjetrën, ose Shtetet e Bashkuara me një shtet tjetër, ose dy shtete për shembull që mund të kenë ndërprerë marrëdhëniet dhe duan të rifillojnë një farë kontakti, atëherë përfaqësues të të dy shteteve, individë zyrtarë, jozyrtarë, ndoshta dhe shpeshherë dhe nga sektori privat, mund të takohen për të parë nëse është e mundur që të rifillojnë kontaktin mes dy shteteve. Kjo është ajo që quhet ‘back channel diplomacy’. Dhe në qoftë se fillon ky kontakt i parë, më pas bëhen takime të tjera për të parë a a mund të ndodhë që të dy palët të ulen në tryezë dhe nëse po, në çfarë niveli? Pra, në nivel diplomatësh të thjeshtë, në nivel ministrash të jashtëm apo dhe në një nivel tjetër më pas, në qoftë se bisedimet avancojnë. Për shembull, në rastin e zgjidhjes së çështjes në Ukrainë, mund të ketë individë të cilët kanë kontakte me njëri-tjetrin, duke përfaqësuar të gjitha palët e caktuara dhe mund të këmbejnë mendime. A do ishte e pranueshme nëse do propozohej zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara x gjë apo do ishte e pranueshme në qoftë se Ukraina ose Rusia bëjnë një veprim të caktuar? Dhe përpara se kjo gjë të bëhet publike ose të propozohet zyrtarisht, më para testohen ujërat në një farë mënyre, në mënyrë shumë joformale.
Daka: Meqënëse ju referove menjëherë Ukrainës, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe, le të themi, krerët e këtyre skuadrave të negociatave, qoftë edhe negociatave pas dyerve të mbyllura. Dhe kemi rusin Kirill Dimitriev, siç thashë, i dërguari i Putinit për investimet, që ka marrë goxha fuqi së fundmi. Ka shkuar edhe në Florida kohë më parë për të diskutuar, për të kontaktuar dhe për t'u takuar, sigurisht për të folur për gjithë morinë e problematikave të marrëdhënies me Ukrainën por dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Steve Ëitkoff, që është i dërguari special për Lindjen e Mesme fillimisht edhe për Ukrainën i Presidentit Trump. Cilat janë këto dy personazhe të cilët kanë marrë një rëndësi goxha të madhe sidomos gjatë kësaj jave?
Kedhi: Po, zoti Dimitriev është financier rus, drejtues i një fondi investimesh, financues i presidentit Putin, i besuari i tij, dhe me sa duket i besuar në një nivel të tillë sa t'i besohet edhe kjo detyrë jo e thjeshtë duhet thënë, për të përfaqësuar interesat ruse në këto bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse kryesisht këto bisedime po ndodhin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, duke lënë pak në hije vendet e Bashkimit Europian. Nga ana tjetër kemi Steve Ëitkoff, një mik i presidentit Trump, i dërguar i posaçëm për Lindjen e Mesme, më pas sponsorizoi gjeneralin Kellogg në Ukrainë me përzgjedhjen në çështjes mes Ukrainës dhe Rusisë ose zgjidhjen e agresionit rus po themi në Ukrainë, sepse rusët janë agresorët. Një manjat i pasurive të patundshme, vjen vjen nga ky sektor domethënë, nga sektori privat, por që presidenti Trump e ka gjykuar të përshtatshëm për t'i besuar qoftë Lindjen e Mesme, dhe pamë që rezultoi në një marrëveshje historike çështja e Lindjes së Mesme, po edhe me përfshirjen e një personi që ndoshta ju do ta përmendni dhe më pas që është dhëndri i presidentit Trump, Kushner dhe për shkak se ajo gjë funksionoi atje, ajo mënyrë diplomacie funksionoi në Lindjen e Mesme, i është besuar edhe portofoli, po themi, si i dërguari i posaçëm për Ukrainën dhe për Rusinë. Këta janë dy figurat kryesore që përfaqësojnë të dy palët në këto bisedime shpesh jozyrtare, po edhe me atë çfarë kanë rrjedhur në media, sidomos gjatë javës së fundit.