Plani i SHBA, Burimi: Fati i Evropës dhe Ukrainës po vendoset pa praninë e tyre në tryezë, anashkalohet BE
Në prapaskenat e diplomacisë ndërkombëtare, një plan i ri paqeje për t'i dhënë fund konfliktit Rusi-Ukrainë po shkakton trazira, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm të ardhmen e Ukrainës, por edhe atë të gjithë arkitekturës evropiane të sigurisë. Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duket se janë angazhuar në bisedime intensive, me përfshirjen e figurave të afërta me Presidentin Trump, si Jared Kushner, ajo që bie në sy është mungesa flagrante e Evropës në tryezën e negociatave.
Analisti Genc Burimi në një intervistë për Syri tv, tha se “sipas analizave, ky plan, i cili po diskutohet në nivele të larta, anashkalon plotësisht Bashkimin Evropian, duke e lënë kontinentin në një pozitë të vështirë”. “Sot luhet fati i Evropës, jo thjesht i Ukrainës”, theksoi ai, duke shtuar se kontinenti gjendet “me shpatulla pas murit” përballë vendimeve që po merren në Florida. Kjo situatë ka detyruar presidentin ukrainas Zelensky të kërkojë mbështetje urgjente në Paris, në një përpjekje për të kundërshtuar një marrëveshje që konsiderohet tejet e dëmshme.
Plani amerikan, i cili sipas zërave kritikë duket si një “përkthim i kërkesave ruse në anglisht”, përmban pika të papranueshme për Kievin dhe aleatët e tij evropianë. Propozimi përballet me tre sfida të pakapërcyeshme:
1. Njohja e territoreve të pushtuara: Plani i kërkon Ukrainës të njohë zyrtarisht aneksimin rus të Krimesë dhe territoreve të tjera tashmë të pushtuara, një lëshim që do të legjitimonte agresionin.
2. Dorëzimi i territoreve shtesë: Kërkohet që Ukraina të heqë dorë nga rajone të tëra, përfshirë edhe zona ku forcat ruse ende nuk kanë vendosur kontroll të plotë.
3. Mungesa e garancive të sigurisë: Plani nuk ofron asnjë garanci reale për sigurinë e ardhshme të Ukrainës, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj sulmeve të mëtejshme dhe duke kërkuar çmilitarizimin e saj.
Në sfondin e këtij presioni diplomatik, spikat edhe një riorganizim i brendshëm në Ukrainë, ku Andrei Yermak, një nga figurat më të afërta të Presidentit Zelensky, u detyrua të japë dorëheqjen, një lëvizje që shihet si rezultat i presionit amerikan për të hapur rrugën për një qasje më të favorshme ndaj negociatave.
Përballë këtij skenari, Evropa gjendet në një garë kundër kohës. Strategjia e saj nuk është nxitja e luftës, por përdorimi i rezistencës ukrainase si një mundësi për t'u riarmatosur dhe për të ndërtuar një autonomi strategjike. Duke u bazuar në “memorien historike” të ngjarjeve si ato të vitit 1939, liderët evropianë po investojnë masivisht në industrinë e mbrojtjes, duke shpresuar që të jenë gati për të përballuar çdo kërcënim në të ardhmen, veçanërisht në rast të një ndryshimi drastik të politikës së jashtme amerikane pas zgjedhjeve të ardhshme.
Në bisedë me moderatorin Edvin Parruca, Burimi tha se, Ukraina mbetet “siguresa e parë” e Evropës. Sa më gjatë që ajo të rezistojë, aq më shumë kohë fiton kontinenti për t'u forcuar. Megjithatë, dilema strategjike mbetet: a duhet vazhduar investimi në një Ukrainë, fati i së cilës është i pasigurt, apo duhet forcuar mbrojtja e anëtarëve të NATO-s si Polonia dhe Rumania? E ardhmja e paqes në Evropë varet nga përgjigjet e këtyre pyetjeve kritike, ndërkohë që bisedimet sekrete vazhdojnë larg syve të saj.
Edvin Parruca: Sekretari Rubio dhe përfaqësuesve të lartë të Ukrainës janë mbledhur për të diskutuar një plan që mund ta çojë drejt paqes konfliktin Rusi-Ukrainë. Deri tani ne kemi parë të paktën katër aktorë që janë përfshirë drejtpërdrejtë në këto bisedime. Shtetet e Bashkuara nga njëra anë, Rusia nga ana tjetër, që kanë pasur bisedime më intensive, direkte le të themi, mes tyre. Pastaj është Ukraina natyrisht, që ndodhet në një pozicion të vështirë politik, presidenti Zelensky atje për momentin. Dhe është Evropa, e cila ka ndjekur me shumë vëmendje dhe ka redaktuar pikat e saj të nevojshme në planin për paqen. Si i shikoni shanset për këtë paqe dhe si i shikoni pozicionet e këtyre aktorëve pjesëmarrës?
Genc Burimi: Po duhet të them që në fillim me keqardhje që Evropa nuk ishte e pranishme.
Edvin Parruca: Po.
Genc Burimi: Dhe sot për fat të keq Evropa nuk është e pranishme. Pikërisht, ky është debati.
Edvin Parruca: Ky është një debat tjetër i madh. Po, natyrisht.
Grenc Burimi: Edhe...
Edvin Parruca: Po ka pasur mundësi të ushtrojë rolin e saj.
Genc Burimi: Jo. Ka pretenduar, por nuk është, nuk është në tryezë dhe ky është debati. Evropa sot është e përjashtuar dhe sot luhet fati i Evropës. Në momentin që flasim ne të dy bashkë, bëjmë këtë intervistë, sot luhet fati i Evropës. Jo thjesht i Ukrainës.
Edvin Parruca: I Ukrainës. Po.
Genc Burimi: Sot Evropa është me shpatulla pas murit nga çdo gjë që do të dali nga Florida. Prandaj nesër vjen Zelensky në Paris. Nëse sot detyrohet Ukraina, që nuk e besoj fare, ky plan nuk do të, funksionojë. Por nëse, jemi në një skenar negativ, pra që Ukraina nuk e pranon këtë plan, sepse s'mund ta pranojë, do ju jap dhe arsyet pse s'do e pranojë. Po. Atëherë për Evropën do të ketë, do jetë SHBA do të tërhiqen komplet, për Evropën do të ketë dy zgjidhje. O do të investojë masivisht në Ukrainë, ose do ta lërë Ukrainën dhe ajo të bjerë dhe të investojë masivisht në Poloni dhe në Rumani. Është si një lojë shahu. Jemi në një lojë shahu sot. Pra, sot amerikanët çfarë bënë? Izoluan nga negociatat Andrei Yermak. Po. Që ta kuptojnë shqiptarët që është një personazh i çelët, le të themi, mund të bëj një krahasim pak me Shqipërinë, me Ballukun apo me... Ishte pra, si të thuash, ose me Veliajn, ishte personazhi ... ishte, e quanin me ironinë në, në Ukrainë, nën-presidenti i Ukrainës. Pra ishte personazhi më i afërt, i Zelenskyt, i shkëputi nga të gjithë, çdo gjë filtrohej nga Yermaku, çdo gjë bënte ai. Biles edhe planet e paqes ai i negocionte, marrëveshjet diplomatike ai i bënte, ministrat ai i emëronte. Asgjë s'dilte nga zyra e Zelenskyt pa dalë nga zyra e Andrei Yermakut. Dhe atë sot e skarcuan, e detyruan dje, të japë dorëheqjen, sot dha dorëheqjen. Zelensky nuk e lëshonte, nuk e lëshonte për qamet, ishte, domethënë, mund të bëjmë disa krahasime, por që kur duan evropianët të bëjnë presion nuk, nuk pyesin për proceset gjyqësore. Duhet të largohet dhe pikë. Yermak. Pra, amerikanët e larguan, mendojnë sot se mund të bëjnë më tepër presion te Umerovi, që dhe ai ka qenë, pra ai sot kryeson delegacionin, por që ishte ministri i mbrojtjes dhe ai është ishte i dyshuar dhe ai për korrupsion. Pra, sot, ky është dallimi, pra që evropianët nuk janë në tryezë, është Umerovi në vend të Yermakut dhe që është dhe Jared Kushneri, i pranishëm, ai nuk ishte. Jared Kushneri hyn në negociata. Deri tani e kishim parë të merrej me Lindjen e Mesme, në mandatin e kaluar, kemi parë me ato investimet në Shqipëri apo në Serbi, por që Jared Kushneri tani po hyn në negociata për Ukrainën sepse me siguri është ajo si të thuash, ai parametri financiar, domethënë që amerikanët mendojnë që po eci, do jenë amerikanët që do të fitojnë një pjesë të mirë të investimeve për rindërtimin e Ukrainës, me para ruse të bllokuara, plus dhe evropiane që rënë dakord ata të shtojnë para, që evropianët e refuzojnë. Dhe pra jemi, sot te Trumpi jemi me dy kampe. Kampi i Jared Kushner që duan këtë paqe me çdo kusht sepse kjo mund të çojë pastaj në një bashkëpunim ekonomik e financiar me Rusinë dhe në kampin e Rubios që nuk e do këtë bashkëpunim me Rusinë dhe thuhet që kur doli ky plan që doli në tek mediat amerikane, tek senati amerikan, qe Rubio që do t'ia ketë dhënë fshehtasi këtë plan dhe që u zbulua ky skandal i senatorëve të tjerë, të cilët thonë, kujtove të shpjegohet që ky plan është rusisht i përkthyer në anglisht. Pra këto janë pak të përgjithshmet, mund të flasim gjatë aty, por pra sot amerikanët duan ta mbarojnë këtë punë, dhe ukrainasit me evropianët, jo në këtë farë mënyre. Tani pse, ku është problemi? Në qoftë se kemi pak kohë ose mund të bëjmë edhe pyetje-përgjigje po deshe.
Ka, ka tre sfida të papërballueshme. Putini sot është në një situatë ku Putini sot ose vazhdon luftën se s'e ka asnjë problem, ose do një paqe që atij i përshtatet. Putini ka me veten e tij edhe faktorin kohë, edhe faktorin lëndë të parë. Mund të prodhojë sa të dojë armë me gjithë të tëra dhe s'është i ndihmuar. Pra Putini thotë, unë nuk jam sot i interesuar. Doni, vini këtu ju, Trump, ju amerikanët, ju për paqe, hajdeni, po dua paqe që dua unë. Dhe paqja që do ai është një paqe që s'mund ta pranojnë as ukrainasit as Evropa. Gjëja e parë, ai kërkon sot që ato që ka marrë deri tani, t'i njihen. Po. Dhe kjo s'mund të jetë, sepse edhe Qipro e ka dhënë Qipron si kusht, edhe Koreja ka dhënë Korenë. Po ai do që t'i njihet. Duhet kuptuar mirë dallimi. Kjo është themelore. Domethënë, i thotë sot Qipros greke, njihe Qipron turke. Jo, s'ta njoh. Ti je, është, si të thuash, është një situatë de facto, po, mund të bëjmë bashkëpunim. Ose siç i thonë sot për shembull, sot perëndimorët i thonë Vuçiçit, njihe Kosovën, ai thotë nuk e njoh. Po. E ka, Kosova është bërë shtet, po unë nuk e njoh. Ose i thonë Kinës, njihe Tajvanin, se nuk e njoh. Pra, të njëjtën gjë i thotë sot Putini Ukrainës. Më njih Krimenë. Që është e pamundur. Si mund ta njohësh? Evropa thotë dhe ukrainasit, jo, pika e parë, atë që ke marrë mbaje, okej, bëjmë një rreze, vijë ndarëse siç u bë midis dy koreve, midis dy qiprove, midis Serbisë dhe Kosovës, siç quhet kufiri, po nuk të njoh, s'mund ta njoh, sepse unë dhashë jetë, dhashë gjak që të njoh ty që ma ke vjedhur apo këtë tokë që më takon. E para. E dyta, aty ku çalon gjëja, ai jo vetëm që t'ia njohësh që e ke marrë, po ai thotë që dhe atje ku s'kam ushtarë rus sot, të më jepet. Se është, për pak për teleshikuesit, para një vit e gjysëm, mblodhi Dumën Putini dhe ndryshoi kushtetutën duke e futur në Rusi, në kushtetutë, dhe katë krahinat. Por i futi në një kohë që s'i kishte marrë akoma plotësisht. Po. Edhe as sot s'i ka marrë akoma plotësisht. Mirë. Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Khersoni, që është pjesë dhe Krimea.
Po s'i ka marrë të gjitha. Atëherë i thotë, të paktën, thotë, te Donetsku dhe Luhanski, që quhet bashkë Donbasi, ku sot rusët, ukrainasit janë ende 30%, thotë më i fal. Dhe këtë pikë s'mund ta lëshojë Ukraina, as ajo as Evropa. Si t'i fal? Për dy arsye. E para që unë jam aty. Unë kam dhënë gjakun tim t'i ruaj dhe të t'i fal ty tokën që ti si po me thonë që toka që s'takon, kupton, po e merr plus dhe atë tokë që akoma s'e ke marrë. Plus që po u dha Donetsk dhe Luhansk, nga ana gjeografike këto janë në një lloj fushe që e ka, si të thuash, kalimin pa mal, pa kodër, pa asgjë. Rusia e ka deri në Kiev. Dhe këtu vijmë te e treta. Pra, sfida e tretë. Sfida e parë është edhe një herë mosnjohja, s'duan t'i njohin. E dyta është moslënia e territoreve që nuk është Rusia dhe e treta, sfida e tretë është, okej, imagjino që të dyja të parat bëhen. Diçka, Ukraina pranon, bie dhe Zelensky, bëhet një marrëveshje, amerikanët janë të aftë ta bëjnë, dhe që është, vjen sfida e tretë. Po mirë, edhe po pranuam këto gjëra, çfarë garancie kemi neve si Ukrainë, si Evropë, që ti s'ke për të rifilluar prapë. Pra e famshmja garancitë e sigurisë. Domethënë, se Rusia thotë që, po, dhe kur t'i pranosh, unë s'dua që të ketë këmbë ushtari të huaj në, në Ukrainë dhe vetë ushtria ukrainase të jetë e kufizuar në numër. Kështu që pra në mënyrën se si është ky plan sot, ky plan sot është i papranueshëm. Evropa bëri diçka tjetër. Evropa bëri një kundërpropozim me një ndryshim të jashtëzakonshëm.
Bëri një propozim që tha, që nuk e njohim, por ama, neve do bëjmë këtë gjë që aty ku është vija ndarëse, pra siç është sot fronti aktual, Ukraina premton që në njëzet vjet nuk do të shkojë kurrë ta marrë me forcë atë që s'e ka sot. Dhe ky është një lëshim i fortë. Pra Evropa lëshoi. Putini sot është ushtarakisht tepër i fuqishëm. Putini sot ushtarakisht prodhon sot, sa e gjithë Evropa bashkë e bashkuar prodhon armë sot. Prodhon 5000 drone në muaj. Prodhon 200 drone në ditë. Pra ka një kapacitet edhe i goditjes, edhe i rigjenerueshëm të asaj që konsumon. Ka lëndë të parë të jashtëzakonshme, të pakufishme. Prandaj sot luhet sot fati i Evropës. Në momentin që ne flasim sot, luhet fati i Evropës. Dhe për herë të parë sot është arritur në negociata pa, pa, pa pasur kurrëfarë negociatë negociatash. Pra ka arritur sot në negociatorët kryesorë pa patur kohë që të negociojnë. Domethënë sot do jetë, e merr apo s'e merr? Pranon apo s'pranon? Prandaj Zelensky nesër është në Paris, e perëndimorët çfarë do bëhet sepse mund të ndodhë që duke i ditur gjërat nga ana e jashtme, amerikanët të presin diçka. Pra, a është Evropa e gatshme sot, e aftë sot, në këtë opsion zero, në këtë opsion pesimist që Ukraina nuk do e pranojë këtë plan paqeje, a është Evropa e gatshme sot ta zëvendësojë Amerikën në ndihmën ndaj Ukrainës? Do jetë jashtëzakonisht shumë sepse vetëm nga ana e satelitëve ti s'ke aq satelitë që t'i japësh informacion ukrainasve ku ndodhen shënjestrat që duhet goditur apo ku nga ku ju vjen rreziku i keq me raketa. S'mund ta bësh pa satelitë. Natyrisht, bëhet shumë e vështirë pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës në atë front…..