VIDEO/ PS 'shkelmon' reformën në drejtësi, qeveria synon kontrollin e KLGJ dhe KLP
Qeveria socialiste synon të marrë nën kontroll Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke shkelmuar thelbin e reformës në drejtësi. Partia Socialiste, nëpërmjet deputetit Olsi Komici, ka dorëzuar nismën ligjore për ndryshimin e ligjit ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’. Nisma synon ti japë kompetenca Ministrit të Drejtësisë për të thirrur në mbledhje dhe rrjedhimisht në raportim, drejtuesit e KLP-së dhe KLGJ-së.
Nga SYRI TV
Qeveria synon të forcojë ndërhyrjen e saj në aktivitetin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një veprim që shkon në të kundër të thelbit të Reformës në Drejtësi.
Reforma kushtetuese, e miratuar me 140 vota në vitin 2016, parashikonte zbehjen e kompetencave të Ministrisë së Drejtësisë në ushtrimin e detyrave nga strukturat e pavarura të sistemit të drejtësisë.
Por, maxhoranca, nëpërmjet një nisme të deputetit Olsi Komici, synon të ridimensionojë rolin e Ministrit të Drejtësisë, duke i dhënë kompetencën për të thirrur në mbledhje, rrjedhimisht edhe në raportim, drejtuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Pak ditë më parë, deputeti Komici ka dorëzuar nismën legjislative për ndryshimet e ligjit ‘Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë’.
Në propozimin e deputetit të dalë nga listat e mbyllura të Edi Ramës, thuhet ndër të tjera: ‘Ministri i Drejtësisë thërret mbledhje koordinimi dhe nxjerr akte nënligjore që mundësojnë përmbushjen e detyrimit të Këshillave, përfshirë modelet, udhëzimet, afatet, monitorimin dhe raportimin’.
Ky propozim është tërësisht në të kundër të frymës së Reformës në Drejtësi. Në ligjin aktual, roli i Ministrit të Drejtësisë është vetëm vëzhgues, si edhe angazhohet, me kërkesë të KLGJ-së e KLP-së, për hartimin e akteve të nevojshme nënligjore që sigurojnë mbarëvajtjen e sistemit të drejtësisë.
Ndërkohë, ajo që propozon maxhoranca socialiste, nëpërmjet Komicit, është fuqizimi i ndjeshëm i Ministrisë së Drejtësisë, duke i dhënë një rol kontrolluesi dhe drejtuesi të aktivitetit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Veprimtaria e dy strukturave menaxhuese të sistemit të drejtësisë është kritikuar në Progres-Raportin e Bashkimit Europian, për shkak të vonesave në vlerësimin dhe karrierën e magjistratëve. Brukseli kërkoi nga Parlamenti që të marrë masat e nevojshme për të lehtësuar punën e dy Këshillave.
Duke u kapur tek këto kritika, qeveria, nëpërmjet deputetëve të saj, synon të shtojë rolin e saj kontrollues mbi drejtësisë, nën justifikimin e përmbushjes së rekomandimeve të BE-së.