Sërish sulme ajrore në Kiev, 1 i vrarë dhe 11 të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë
Të paktën një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ajrore ruse mbi Kievin, ka njoftuar komanda ushtarake e kryeqytetit ukrainas.
Sulmet goditën zonën periferike të Vyshhorodit, në veri të qytetit, ku një kompleks banimi u përfshi nga flakët.
Ekipet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit u dërguan menjëherë në vendngjarje, duke ndihmuar banorët të evakuohen nga pallati i dëmtuar, sipas njoftimit të komandës në platformën Telegram.
Autoritetet konfirmuan se gjashtë nga të plagosurit, mes tyre edhe një fëmijë, janë transportuar në spital për trajtim mjekësor. Hetimet për dëmet dhe pasojat e sulmeve vijojnë.