Afati i rregjistrimit skadon sot, ja koalicionet e para për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë
Sot skadon afati për partitë politike të regjistruara që t’i njoftojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, përmes koalicioneve. Afati ka filluar më 24 nëntor.
Deri dje në orën 13:00, KQZ ka pranuar njoftimet për dy koalicione:
• PAI – PDAK – LPB, i përbërë nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB);
• VAKAT, i përbërë nga Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV).
Sipas rregullave, një koalicion mund të formohet nga të paktën dy parti politike. Pas certifikimit, partitë nuk mund të tërhiqen nga koalicioni dhe nuk mund të garojnë si pjesë e një koalicioni tjetër ose si parti e veçantë.
Pasditen e djeshme, Partia e Drejtësisë njoftoi se do të garojë në listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Mbetet të shihet në orët e mbetura deri në fund të afatit nëse do të formohen koalicione të reja, ose në zgjedhjet e 28 dhjetorit qytetarët do të mund të votojnë vetëm për koalicionet e formuara deri më tani.