FOTO/ Sulm me armë gjatë një feste ditëlindje në Kaliforni, 4 të vrarë dhe mbi 10 të plagosur

Katër persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 10 persona të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Stockton, California, konfirmuan autoritetet.

Të shtënat u raportuan pak para orës 18:00, pranë bllokut 1900 të Lucile Avenue. Zyra e Sherifit të Qarkut San Joaquin bëri të ditur në një konferencë për media se mes të plagosurve ka fëmijë dhe të rritur.

Sipas të dhënave paraprake, ‘incidenti mund të ketë qenë i qëllimshëm,’ tha një zëdhënës i sherifit.

Autori i dyshuar ndodhet ende në arrati.

‘Po bëjmë gjithçka të mundur për të sjellë para drejtësisë personin përgjegjës,’ deklaroi Prokurori i Qarkut San Joaquin, Ron Freitas.

Hetuesit po punojnë për të zbuluar motivin e mundshëm të ngjarjes.

Sulmi ndodhi gjatë një feste ditëlindje brenda një salle eventesh. Disa nga të plagosurit u dërguan në spital, por gjendja e tyre nuk është bërë ende e ditur.

Ngjarja është nën hetim, ndërsa edhe FBI është përfshirë në hetimet. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, është informuar mbi situatën dhe zyra e tij po bashkëpunon me agjencitë lokale të rendit.

‘Mendimet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që u prekën nga ky akt i pakuptimtë dhune,’ tha Zyra e Sherifit në një deklaratë.

Nënkryetari i Bashkisë së Stockton, Jason Lee, u shpreh: ‘Jam i shokuar dhe i zemëruar për të mësuar për këtë sulm masiv në një ditëlindje fëmijësh. Një dyqan akulloresh nuk duhet të jetë kurrë një vend ku familjet të kenë frikë për jetën e tyre.’