Vlorë/ Tritol në banesën e Gentian Zotos, shpëton pa lëndime nëna e tij
Një shpërthim tritoli ka tronditur mëngjesin e sotëm lagjen “Partizani” në Vlorë. Lënda plasëse është vendosur në derën e apartamentit të Gentian Dautajt, i njohur edhe si “Gentian Zoto”, i cili aktualisht ndodhet në burg, duke vuajtur dënimin prej 35 vitesh për tentativën e vrasjes së Ines Hajrullës.
Sipas Policisë Kriminale në Vlorë, Dautaj konsiderohet pjesë e grupit të njohur si “Çipurit”, i cili prej vitesh ka pasur përplasje me grupin e Ines Hajrullës.
Nga të dhënat paraprake, një person ka shkuar në orët e vona të natës dhe ka vendosur sasinë e tritolit në derën e apartamentit. Në banesë ndodhej vetëm nëna e Dautajt, e cila fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime, ndërsa dëmet janë vetëm materiale, kryesisht në derën e hyrjes.
Ndërkohë, çështja penale që përfshin Gentian Dautajn dhe persona të tjerë është dërguar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, pas kalimit në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit të shpërthimit.
Njoftimi i policisë:
Po këta specialistë referuan materiale në Prokurori pasi, më datë 29.11.2025, rreth orës 23:38, në rrugën “Ali Demi”, lagjja “Partizani”, në portën e jashtme të banesës së shtetases B. Z., 63 vjeçe, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, nga e cila janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nën drejtimin e Prokuorisë vijon puna për identifikimin, kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjajres.