Bisedimet për paqen në Ukrainë/ Trump dërgon tre të besuarit e tij për diskutimet me delegacionin e Kievit

Është intensifikuar ndjeshëm lëvizja diplomatike në çështjen ukrainase, pas planit me 28 pika që paraqiti presidenti amerikan Donald Trump.

Delegacioni negociator i Ukrainës, i kryesuar nga ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, mbërrin sonte në Shtetet e Bashkuara për bisedime vendimtare.

Sipas një zyrtari amerikan, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, së bashku me të dërguarin special të presidentit Trump, Steve Witkoff, do të takohen me zyrtarët ukrainas nesër, të dielën, në Florida.

Në takime do të jetë i pranishëm edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, pas prezantimit nga Donald Trump të një plani për t’i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë, shtoi zyrtari.

Më herët gjatë ditës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se negociatorët ukrainas do të udhëtojnë drejt SHBA-së për të diskutuar këtë plan.

Zelensky deklaroi se negociatorët u nisën për në Uashington për të kërkuar një “paqë të denjë” dhe një përfundim sa më të shpejtë të luftës së nisur nga Rusia në vitin 2022.

“Detyra është e qartë,” shkroi ai në platformën X: “të përpunohen shpejt dhe në mënyrë thelbësore hapat e nevojshëm për përfundimin e luftës”.

Ndërkohë, shkarkimi i Andriy Yermak, bashkëpunëtorit të fuqishëm dhe të afërt të Zelenskyt, për shkak të një çështjeje korrupsioni, po shkakton tronditje politike në Kiev, në një moment kur Ukraina duhet të zhvillojë një betejë të ndërlikuar diplomatike për bisedimet e paqes me SHBA-në dhe Rusinë.

Pas dorëheqjes së Yermak, presidenti Zelensky caktoi Rustem Umerov, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, për të udhëhequr delegacionin negociator.

Emri i Umerov është përmendur gjithashtu në kuadër të një hetimi për korrupsion, por ai ka mohuar çdo përfshirje.

Umerov ka kryesuar edhe më parë negociata me palën ruse gjatë këtij viti, duke arritur marrëveshje që përfshinin shkëmbime të të burgosurve dhe kthimin e trupave të ushtarëve të rënë në luftë.