U arrestua në Serbi, gjykata e Beogradit zgjat paraburgimin për ish-pjesëtarin e UÇK-së
Gjykata e Beogradit la në paraburgim edhe për 30 ditë ish-pjesëtarin e UÇK-së Avni Qenaj.
Avokati i tij mbrojtës, Xhevdet Smakiqi e konsideroi vendimin një privim i kundraligjshëm i lirisë dhe kritikoi mungesën e presionit diplomatik efektiv nga Qeveria e Kosovës.
“Në mungesë të një qeverie serioze të Kosovës, vazhdojnë kidnapimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, sepse Serbia shkel lehtësisht marrëveshjet e Brukselit, ku garantohet liria e lëvizjes dhe të drejtave themelore, duke mos u zbatuar kjo për ish-pjesëtarët e UÇK-së,” shkruan ai.
Avokati theksoi se Qenaj është mbajtur në paraburgim pa asnjë provë të vetme, ndërkohë që një presion diplomatik efektiv nga Prishtina do ta kishte lejuar lirimin e tij. Ai shtoi se familja e Qenajt ndodhet e vetmuar, duke u përballur vetë për të mbrojtur të drejtat ligjore dhe lirinë e lëvizjes të të arrestuarit.
“Familja e Qenaj po kalon këto ditë festive kombëtare nën ankth, pa mbështetjen e shtetit, dhe detyrohet të luftojë vetë përmes angazhimit privat me avokatët e saj,” theksoi Smakiqi.
Ai përfundoi postimin duke shprehur besimin se pafajësia e Avni Qenajt do të triumfojë, por duke kritikuar dështimin e shtetit dhe qeverisë së Kosovës në përmbushjen e përgjegjësive të saj. “Liri për Avni Qenaj dhe gëzuar 28 Nëntorin në qelinë e Beogradit, ku po mbahet i kidnapuar në kundërshtim me konventat ndërkombëtare,” shkroi ai.