VIDEO/ Juventusi përmbys Cagliari-n falë ‘dopietës’ së Yildiz-it
Juventusi i Luciano Spalletti-t arriti një fitore të rëndësishme 2–1 ndaj Cagliari-t në “Allianz Stadium”, duke u ngjitur në kuotën e 23 pikëve dhe duke hedhur një hap përpara në renditje. Miqtë zhbllokuan sfidën në minutën e 26-të, kur Esposito përfitoi nga një asist i Palestra-s dhe mposhti Perinin. Reagimi bardhezi erdhi menjëherë: vetëm një minutë më vonë, Thuram shpërtheu në qendër dhe Yildiz e dërgoi topin në rrjetë për 1–1.
Në minutat shtesë të pjesës së parë, talenti turk goditi sërish me një të majtë të saktë, duke përmbysur rezultatin dhe duke vulosur ‘dopietën’ e tij personale. Në fraksionin e dytë, Spalletti menaxhoi lojën me qetësi, ndërsa Perin dhe Caprile u dalluan me pritje vendimtare përballë Idrissi-t dhe Conceiçaos. Bardhezit patën mundësi edhe për golin e tretë me Koopmeiners dhe Conceiçao-n, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Në fund, Juventusi e meritoi fitoren, duke shfaqur soliditet dhe cinizëm, ndërsa Cagliari u përpoq deri në fund por pa sukses.