SYRI TV/ Korrupsioni dhe standardi shqiptar vs Europa, ministri rumun jep dorëheqjen, Balluku nuk denjon...
Ministri rumun i mbrojtjes Jonut Mosteanu dha dorëheqje menjëherë pasi mediat zbuluan se kishte gënjyer për universitetin që kishte kryer. Po kështu bashkëpunëtori më i ngushtë i Presidentit të Ukrainës Zelensky, u dorëhoq pas nisjes së hetimeve ndaj tij për korrupsion. Por standardet me të cilat operon Shqipëria, janë të ndryshme nga pjesa tjetër e Europës. Që prej 1 muaji, numri 2 i qeverisë Belinda Balluku është marrë e pandehur nën akuzat e shkeljes së barazisë në 2 tendera me vlerë 210 milion euro dhe nuk denjon të japë dorëheqjen duke marrë edhe mbrojtjen politike nga shefi I saj Edi Rama.
Syri TV
Që prej 1 muaji, numri 2 i qeverisë Belinda Balluku është marrë e pandehur nga SPAK nën akuzat e shkeljes së barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë dhe një nga lotet e unazës së madhe të Tiranës. Vlera e këtyre 2 tenderave llogaritet në 210 milion euro.
Pavarësisht akuzave të rënda ndaj saj dhe një vendimi të Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendi, bashkëpunëtorja më e ngushtë e Edi Ramës nuk ka denjuar që të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë e zhveshur nga pushteti politik që i jep qenia si anëtare e kabinetit. Për më tepër shefi i saj Edi Rama është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit të gjykatës duke e marrë nën mbrojtje politike ministren e tij.
Njoftimin shefi i qeverisë e bëri në krah të komisioneres së zgjerimit Marta Kos teksa procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian vijon të mbetet narrativa kryesore e Ramës që prej fushatës së zgjedhjeve parlamentare të Majit. Por shembujt që vijnë nga Europa duket se nuk janë shumë inkurajuese për Edi Ramën dhe zyrtarët e tij të akuzuar për afera të rënda korruptive.
Një ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes së Rumanisë, Jonut Mosteanu, ka dhënë dorëheqjen pasi pranoi se kishte gënjyer për studimet në CV-në e tij. Në deklaratën e dorëheqjes ai shkruan se nuk donte që "gabimet" e tij personale të shpërqendronin vëmendjen nga puna jetësore e mbajtjes së vendit të sigurt nga Rusia.
Dorëheqja e Mosteanut erdhi pasi e përditshmja Libertatea raportoi se CV-ja e tij përmbante informacione të pasakta në lidhje me kohën kur u diplomua dhe universitetin që kishte kryer.
Po kështu, këtë të premte, Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski, Andri Jermak dha dorëheqjen, pasi dyshohet se është përfshirë në një skemë korrupsioni teksa policia bastisi shtëpinë e tij. Ai është ende person nën hetim dhe akoma nuk ka një akuzë zyrtare të ngritur nga prokuroria, por pavarësisht kësaj, ndihmësi më i afërt i Zelenskit ka dhënë menjëherë dorëheqje.
Përkundër këtyre rasteve të 24 orëve të fundit, Shqipëria operon me standardet e veta. Zv.kryeministrja e pandehur Belinda Balluku as nuk e çon ndërmend dorëheqjen dhe për më tepër nuk ka dhënë as sqarimin më të vogël publik rreth vërtetësisë së akuzave të rënda ndaj saj.
Hallka e dytë që lidhej me një shkarkim të mundshëm nga Kryeministri Edi Rama po ashtu nuk u mor në konsideratë nga shefi i qeverisë, i cili mori në mbrojtje Ballukun dhe ju drejtua personalisht gjykatës kushtetuese për të kërkuar heqjen e pezullimit të vendosur nga gjykata.
A do jetë në gjendje Shqipëria që të mbyllë kapitujt e integrimit në Bashkimin Europian kur krerët më të lartë të qeverisë bëhen parzmore në mbrojtje të aferave korruptive? Fakti është se Shqipëria nuk ka as standardet e një vendi në luftë siç është Ukraina.
Këtu marrin përgjigje edhe deklaratat e fundit të Edi Ramës i cili thotë se Shqipëria është e gatshme të heqë dorë nga e drejta e vetos por edhe ajo e të pasurit komisioner europian, vetëm që të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Edhe vetë Edi Rama është koshient se qeverisja e tij nuk mund ta fitojë anëtarësimin bazuar në meritë, reforma dhe standarde. Rasti Balluku është dëshmia më e qartë.