Mbase nuk duket, por Trump po e shpëton Europën nga vetvetja

Nga Jake Wallis Simons - The Telegraph/

Britanikët dhe europianët nuk e festojnë Ditën e Falënderimeve, por edhe sikur ta festonin, zor se do të shprehnin mirënjohje për Donald Trump-in. Plani i tij i paqes për Ukrainën, ndoshta më mirë i përshkruar si një propozim për dorëzimin e Kievit dhe inkurajimin e Vladimir Putinit, ka shkaktuar valë alarmi në kontinent dhe matanë Kanalit.

Ndërkohë, plani i Trump-it për Gazën solli një lloj tjetër poshtërimi: imponoi me forcë njohjen tonë të parapërgatitur të një shteti palestinez dhe detyroi fuqitë e vjetra të uleshin në gjunjë. Dhe kjo pa përmendur mbështetjen e zakonshme të administratës për të djathtën ekstreme, si Alternative fürDeutschland, Rassemblement National dhe Tommy Robinson.

Kudo që të shohësh, ka një mosfunksionim transatlantik, ndërsa mbështetja e lëkundur e Shtëpisë së Bardhë për NATO-n i ka futur aleatët e saj në një krizë sigurie. Trump, i cili zotëron platformën e vet të rrjeteve sociale, madje po kërcënon të bëjë një padi të kushtueshme ndaj transmetuesit tonë kombëtar. Tregtia; politika e jashtme; siguria; media; politika e brendshme,gjithçka është goditur njëherësh. Me Trump-in në krye, po shohim as më pak e as më shumë veçse një vandalizim të gëzueshëm të arkitekturës së Pax Americana, nga e cila vendet europiane përfituan aq shumë dhe aq gjatë.

Por ndoshta Trump po na bën një nder duke na shkundur nga letargjia. Në të vërtetë, Europa ka rrëshqitur ngadalë drejt katastrofës që prej kohës kur Francis Fukuyama shpalli "fundin e historisë" në përfundim të Luftës së Ftohtë. Aty nisi ngritja e asaj që Simon Sebag Montefiore e ka quajtur "demokracitë e rehatisë". Me idenë se konfliktet dhe vështirësitë e tyre i kishim lënë pas, u krijua terreni psikologjik për qarkullim të lirë kapitali dhe migracioni, për neglizhimin e mbrojtjes, zgjerimin e shtetit social dhe ngritjen e asaj që unë e quaj "elitë e fundamentalizmit centrist".

Kjo ishte, ose më saktë është ende, edhe pse ndoshta jo për shumë gjatë, një klasë liberalësh të arsimuar në universitete, që jetonin në qytete dhe vendosnin besimin e tyre te fuqia e butë, politikat tolerante të migracionit, tregtia e lirë, bashkëpunimi shumëpalësh, organizatat supranacionale, ligji ndërkombëtar, vlerat universale dhe një politikë e jashtme e bazuar në etikë.

Me shtëpitë e dyta dhe pushimet nëpër resorte skish, ata tallnin këdo që shprehte vlera tradicionale si dashuria për atdheun, traditat, flamurin, historinë, fenë dhe njerëzit e vet, duke i cilësuar si të vjetruara në rastin më të mirë dhe fashiste në rastin më të keq. E mbani mend debatin e Brexit-it? Keni parë se si flasin me përçmim për izraelitët, të cilët shprehin hapur identitetin e tyre kombëtar? Në intolerancën e tyre të thellë, "centristët" mund të përshkruhen vetëm si "fundamentalistë", pavarësisht ngjyrës së kartës së tyre politike.

Ndërsa Rusia pritej në G8, "një mesazh shumë i fortë mbështetjeje për presidentin Putin dhe reformat e tij", siç e përshkroi Tony Blair në vitin 2002, dhe Kina u pranua me katastrofë në Organizatën Botërore të Tregtisë, politikanët europianë fitonin zgjedhje duke devijuar buxhetet e mbrojtjes drejt përfitimeve sociale. Pak kohë më vonë, siç vuri re famshëm Angela Merkel, kontinenti që përbënte rreth 7 për qind të popullsisë botërore shpenzonte gjysmën e shpenzimeve sociale në nivel global.

Që nga Blair e më pas, Britania ndoqi të njëjtën rrugë, me shuma të mëdha të shpërdoruara për NHS-në joefikase, prindër që merrnin vende falas në çerdhe dhe pensionistë, të cilët gjithmonë dalin për të votuar, që bliheshin me pensione të indeksuara trefish, pagesa për ngrohjen e dimrit dhe licenca televizive falas. Ndjekja e objektivit net zero, projekti më i kushtueshëm i kotësisë në historinë moderne, u bë një barrë e rëndë për ekonominë tonë, ndërsa Kina dhe India ndiznin termocentralet e tyre me qymyr.

Ndërkohë që lapsat e votuesve amerikanë qëndronin pezull mbi emrin "Donald Trump", Europa ishte në një gjendje të amullt, plotësisht e pavetëdijshme se si po ecte, pa e ditur, drejt humnerës. Borxhi kombëtar qarkullonte rreth 100 për qind të PBB-së, ndërsa Covid-i e përshpejtoi rritjen e shkallës së pasivitetit ekonomik. Në Britani, përqindjet e "inaktivitetitekonomik" kapin mbi 60 për qind në disa zona të veriut, ndërsa një në dhjetë fëmijë rritet në familje ku askush nuk punon dhe një në katër të rritur në moshë pune figuron si "i paaftë". Vitin e kaluar shpenzuam 65 miliardë paund vetëm për pagesat e paaftësisë dhe aftësisë së kufizuar, rreth 4 miliardë më shumë se shpenzimet për mbrojtjen.

Merrni për shembull fushat e jetës publike ku Trump ka shkaktuar goditjet më të forta: ai po i godet të gjitha shtyllat e fundamentalizmit centrist. Merrni NATO-n për shembull. Në vitin 2015, një vit para se Donald të zgjidhej për herë të parë, shpenzimet mesatare europiane për NATO-n ishin 1.44 për qind,shumë poshtë pragut 2 për qind të rënë dakord në Samitin e Uellsit më 2014. Sot, ai objektiv është arritur, me një marrëveshje në Hagë këtë vit për ta rritur në 5 për qind deri në vitin 2035. Lufta në Ukrainë ka luajtur rol, sigurisht; por a do të silleshim njësoj po të vazhdonte SHBA-ja të paguante faturën?

Qëndrimi ynë ndaj mbrojtjes flet qartë për perceptimin tonë ndaj vetes dhe vendit tonë në botë. Po ashtu, edhe qëndrimi ndaj minoriteteve; mënyra se si ish-ndihmësi i Trump-it, Elon Musk, çoi në krizë skandalin e rrjeteve të abuzimit seksual ku përfshiheshin kryesisht burra me prejardhje pakistaneze, e detyroi Britaninë të rimendonte tolerancën e vet të vakët ndaj kriminalitetit brenda komuniteteve myslimane dhe dështimin për të mbrojtur vlerat tona.

Liria e shprehjes është një tjetër shembull. Kur Trump dërgoi një delegacion të Shtëpisë së Bardhë për të mbështetur Rose Docherty-n, një aktiviste 75-vjeçare kundër abortit, në vitin 2024, ai i dërgonte Britanisë një mesazh mbi marrëzinë e përçmimit të moralit të fesë së krishterë që kemi trashëguar. Po të padisë BBC-në deri në 5 miliardë dollarë, ai po shqyen maskën e profesionalizmit nën të cilën fshihet një tallje e ideologjisë progresiste gërryese. Dhe duke mbështetur NigelFarage-in, po i vë para turpit elitat tona për përbuzjen e tyre të përhershme ndaj flamurit tonë.

Ai mund të jetë i padurueshëm, përçarës dhe, në rastin e Ukrainës, tejet i pamoralshëm, por pa Trump-in në Shtëpinë e Bardhë, e diela jonë e përjetshme do të zgjatej drejt një fundi akoma më të shëmtuar dhe më katastrofik.

Ndaj le të falënderojmë Donald Trump-in. Ai mund të jetë duke na shpëtuar nga vetvetja.