Josa: Jam i kënaqur me lojën, por jo me rezultatin, kampionati është i gjatë
Bylis dhe Dinamo u ndanë në barazim 0-0 në “Adush Muça”, një rezultat që vazhdon t’i mbajë të dyja skuadrat pa fitore prej disa javësh. Pas ndeshjes, Mirel Josa analizoi paraqitjen e ekipit të tij, duke vlerësuar reagimin pas dy sfidave të dobëta.
“Me performancën jam i kënaqur, sidomos pas dy ndeshjeve jo të mira. Loja ishte e hapur dhe mund të kishte përfunduar në çdo drejtim, mund ta fitonim, por edhe mund ta humbnim,” u shpreh Josa. Trajneri theksoi se të dy ekipet kërkuan fitoren, ndërsa Dinamo tregoi më shumë luftë se në paraqitjet e fundit.
Duke folur për problemet e ndeshjeve të fundit, Josa tha se skuadra kishte nevojë për më shumë përqendrim. “Punuan shumë me mesfushorët dhe sot u paraqitën mirë, por në disa momente u nxituam. Duhej më shumë durim. Me lojën jam i kënaqur, me rezultatin jo – nuk futemi në fushë për të barazuar.”
Trajneri shpjegoi edhe improvizimin në krahun e djathtë të mbrojtjes, ku Koçi u vendos në një rol jashtë pozicionit të tij natyral për të mbuluar mungesat. “Kur fitonim topin, kërkuam të dilnim menjëherë përpara.”
Josa nënvizoi se vuan më shumë pikët e humbura në javët e kaluara sesa barazimin e sotëm. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i korrigjojmë mangësitë. Kampionati është i gjatë,” përfundoi ai.