Tregjet e Krishtlindjeve në Evropë hapen nën masa sigurie më të rrepta pas sulmeve të dhunshme
Evropa po përgatitet për sezonin e Krishtlindjeve me masa sigurie të paprecedentë pas një serie sulmesh terroriste që goditën tregjet festive vitet e fundit. Nga Winter Wonderland në Londër deri te qytetet e Gjermanisë, policia dhe kompanitë private të sigurisë do të jenë në gatishmëri të plotë për të mbrojtur vizitorët, sipas ekspertëve.
Kujtojmë se tregu i Krishtlindjeve në Magdeburg, Gjermani, u godit vitin e kaluar nga një sulm i dhunshëm, kur një refugjat saudit përplasi makinën e tij në turmën e njerëzve, duke vrarë 6 persona dhe plagosur më shumë se 300.
Ky ishte sulmi më vdekjeprurës që nga tragjedia e Breitscheidplatz në Berlin në 2016, ku një kamion 32-tonësh përplasi turmën, duke shkaktuar 12 viktima.
Për pasojë, Gjermania rishikoi mënyrën e menaxhimit të mbi 2,500 tregjeve të regjistruara zyrtarisht të Krishtlindjeve, që tërheqin miliona vizitorë çdo vit. Por masat e reja nuk do të jenë të kufizuara vetëm në Gjermani, qytetet në të gjithë Evropën po ashtu po forcojnë sigurinë dhe po krijojnë “unaza të forta mbrojtëse” rreth tregjeve.
LEXO EDHE: Gjermania hap tregjet e Krishtlindjeve, shton masat e sigurisë
Eksperti i sigurisë Will Geddes tha për The Sun: “Çdo qytet që organizon tregje Krishtlindjeje këtë vit duhet të përditësojë masat e tij. Ky vit do të shohë një përdorim më të gjerë të barrierave fizike për të parandaluar sulmet me automjete, si blloqe betoni apo vazo dekorative që veprojnë si pengesa.”
Ai shtoi se do të ketë kontrolle më të shpeshta të çantave dhe prezencë më të madhe policore, por siguria 100% është e pamundur. “Sigurimi i zonave të brendshme është më i thjeshtë, por zonat e jashtme mbeten të ndjeshme, sepse terroristët shpesh zgjedhin të sulmojnë me automjete ose eksplozivë,” tha Geddes.
Në qytetin e Salzburgut, Austri, tregu ikonë që tërheq 1.5 milion vizitorë çdo vit, monitorohet tani nga një ekip privat sigurie 24-orësh dhe 33 kamera të dedikuara.
Në Pragë, blloqe betoni janë vendosur për të mbrojtur shëtitoret, ndërsa në Budapest, policë civilë patrullojnë mes turmave për të identifikuar kërcënimet.
Ndërkohë, disa tregje në Austri janë anuluar për shkak të kostove të larta të masave të sigurisë.
Gjermania, e cila ka përjetuar një seri sulmesh vdekjeprurëse në tregjet e Krishtlindjeve, po shërben si model për një qasje të re kombëtare ndaj sigurisë publike, sipas ekspertëve.
Burimi: The Sun/ Përktheu: Syri.net
FOTO GALERI