‘Artist’ i mesfushës, ish-i i Juventusit dhe Romës i jep fund karrierës në moshën 35-vjeçare

Miralem Pjanic ka vendosur të tërhiqet nga futbolli në moshën 35-vjeçare, raportojnë mediet italiane, përfshirë ‘Tutto Mercato’. Mesfushori boshnjak nuk arriti të gjente një skuadër pas përfundimit të sezonit 2024-25, ku luajti për një vit në Rusi me CSKA Moscow.

Pjanic, i njohur për teknikën e tij të lartë dhe rolin vendimtar në mesfushë, pati periudhën më të ndritur të karrierës tek Juventusi, ku u shndërrua në një nga mesfushorët më të mirë të Europës, përpara se të transferohej te Barcelona.

Në verën e këtij viti u diskutua një rikthim i tij tek Juventusi me parametra zero, por marrëveshja nuk u konkretizua. Pa ekip për më shumë se pesë muaj, Pjanic ka vendosur t’i japë fund rrugëtimit të tij profesional.

Gjatë karrierës së tij, ai grumbulloi 780 paraqitje zyrtare me klubet dhe përfaqësuesen e Bosnjë Hercegovinës, një testament i qëndrueshmërisë dhe klasit të tij.

Me këtë vendim, një kapitull i rëndësishëm i futbollit ballkanik mbyllet, ndërsa Pjanic lë pas një trashëgimi të fortë në futbollin europian.