VIDEO/ Imami i Kombinatit denoncon: Pallati i dëmtuar nga tërmeti është kthyer në gërmadhë, banorët jetojnë në pasiguri...
Imami i xhamisë së Kombinatit, Shpëtim Seranaj, ka denoncuar në rrjetet sociale gjendjen dramatike të pallatit nr. 12 në Rrugën “Qelqit”, në Tiranë, i ndërtuar në vitin 1968 dhe i shpallur i pabanueshëm pas tërmetit të vitit 2019.
Ai thotë se ndërtesa, e cila prej gjashtë vitesh qëndron pa asnjë vendim për prishje apo rindërtim, është degraduar edhe më tej dhe përbën rrezik të vazhdueshëm për banorët. Ndërkohë, shteti, sipas tij, nuk ka marrë asnjë masë konkrete përveç bonusit të qirasë, ndërsa 7 nga familjarët e pallatit kanë ndërruar jetë duke pritur një banesë të re.
Denoncimi: Ky që shikoni në foto është Pallati im nr. 12, Rruga Qelqit – Kombinat, i ndërtuar në vitin 1968, u dëmtua rëndë nga tërmeti i vitit 2019. Me urdhër të institucioneve u shpall i pabanueshëm dhe u vendos shirit i kuq për shkak të rrezikshmërisë. Sot, 6 vite pas tërmetit, pallati është rrënuar edhe më shumë. Gjendja e tij e sotme është e mjerueshme dhe përbën rrezik të vazhdueshëm.
Përveç bonusit të qirasë, shteti deri më tani nuk ka marrë asnjë masë konkrete. Pallati është ende pa status, as për prishje, as për rindërtim. Vetëm para dy javësh u paraqit një topograf për të kryer matjet, të cilat do t’i dorëzohen kompanisë private të kontraktuar nga Bashkia Tiranë për të kryer ekspertizën e thelluar. Vetëm pas kësaj pritet të vendoset nëse pallati do riparohet apo do të shembet.
Pallati ka dy hyrje dhe 18 apartamente. 7 kryefamiljarë të këtij pallati kanë ndërruar jetë gjatë këtyre viteve, duke pritur banesën e re të premtuar nga shteti. Të tjerë banorë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, duke jetuar në pasiguri dhe harrim të plotë.
Po ashtu, imami Shpëtim Seranaj, ka publikuar video dhe dëshmi të banorëve të zonës, lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet pallati, i degraduar totalisht.