A është Erdogani i Turqisë Gadafi i ri?
Nga Michael Rubin - Washington Examiner/
Ish-diktatori libian Moammar Gadafi ka qenë gjithmonë ekstravagant, por me kalimin e viteve u bë edhe më i çuditshëm. Ish-koloneli i ushtrisë libiane që mori pushtetin në grushtin e shtetit të vitit 1969 u bë i famshëm për mbështetjen e hapur ndaj terrorizmit.
Gadafi ishte gjithashtu revanshist: ai nuk ishte i kënaqur që Libia të mbetej brenda kufijve të saj. Pasi përpjekjet e tij për t'u bashkuar me Egjiptin dështuan, ai u përpoq të pushtonte Rripin e Aouzous, i pasur me uranium, nga Çadi - por Çadi e mundi në luftën e viteve 1987-1988. Në vitet e fundit të tij në pushtet, Gadafi vizitonte Europën, por flinte në çadra beduine në vend që të qëndronte në hotele luksoze apo shtëpi pritjesh zyrtare. Ai madje krijoi dhe një njësi truprojash të përbërë tërësisht nga gra, duke e përforcuar më shumë imazhin e tij të çuditshëm.
Gadafi jo vetëm e shpërdoroi pasurinë e Libisë në stilin e tij të shfrenuar të jetesës, por kishte edhe plane madhështore për të ndryshuar gjeografinë e vendit. Ndryshe nga Egjipti që ka lumin Nil, Libia nuk ka lumenj të përhershëm. Kështu që Gadafi nisi projektin "Lumi i Madh Artificial", një rrjet i madh pusesh dhe tubacionesh nën shkretëtirën e Saharasë. Projekti mbeti i papërfunduar pas rrëzimit dhe vdekjes së tij në vitin 2011, një mashtrim prej 30 miliardë dollarësh dhe një simbol i pompozitetit të tij.
Tani vjen presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan. Si Gadafi, edhe Erdoğan është ekstravagant. I pakënaqur me rezidencën ekzistuese presidenciale, ai ndërtoi një pallat 30 herë më të madh se Shtëpia e Bardhë. Ai gjithashtu e zhyti nën 60 metra ujë qytetin antik kurd Hasankeyf, duke ndërtuar një digë që pak njerëz e dëshironin. Ashtu si Gadafi, Erdoğan mbështet hapur grupe terroriste, duke i lejuar Hamasit të hapë zyra dhe të veprojë nga Stambolli.
Tani, në vitet e tij të fundit në pushtet, Erdoğan po ndjek gjurmët e Gadafit me megaprojektin e tij, kanalin e Stambollit. Për shkak se Konventa e Montreux e vitit 1936 rregullon trafikun përmes Dardaneleve dhe Bosforit, Erdoğan kërkon të ndërtojë një kanal të ri që lidh Detin e Zi me Detin e Marmarasë.
Shumica e analistëve të politikës së jashtme e shikojnë këtë projekt përmes ndikimit që mund të ketë mbi Konventën e Montreux, e cila ndalon kalimin e anijeve luftarake në Bosfor në kohë lufte. Nëse ekziston një rrugë alternative, a mund të mbushet Deti i Zi me luftanije? Për këtë, Moska mund të ketë më shumë kundërshtime sesa Uashingtoni, të paktën për sa kohë NATO e konsideron Turqinë më shumë si aset sesa si "Kalë Troje".
Megjithatë, kjo mund të mos jetë çështja kryesore: projektet gjithnjë e më madhështore të Erdoğan-it, si ato të Gadafit, janë më shumë prova e egos dhe një mendjeje që ka dalë jashtë kontrollit, sesa plane të arsyeshme zhvillimi. T'i kërkosh logjikë ambicieve të Erdoğan-it mund të jetë tepër bujare, në vend që t'i shohim për atë që janë: çmenduri e nivelit të Gadafit.
Nëse Erdoğan do të devijojë dhjetëra miliarda dollarë nga ndihma sociale dhe infrastruktura aktuale e Turqisë, kjo është punë për të. Por në vend që ta shikojë këtë nga larg, e lëre më ta duartrokasë, Uashingtoni duhet t'i quajë gjërat siç janë: një projekt kotësie për të cilin do të vuajnë të gjithë turqit, i cili, edhe nëse përfundon, nuk do të zgjasë, duke pasur parasysh kushtet e tokës dhe zonën e tërmeteve nëpër të cilat duhet të kalojë. / Washington Examiner - Syri.net