Plasaritjet në rrugën Korçë-Ersekë, dëshmi e keqmenaxhimit dhe punimeve të dobëta
Rruga Korçë-Ersekë, një nga akset kryesore të lidhjes mes jugut dhe verilindjes së Shqipërisë, ka filluar të shfaqë plasaritje në po të njëjtin segment ku u shemb 1 vit më parë . Këto plasaritje kanë ngritur shqetësime serioze në lidhje me stabilitetin e rrugës, duke bërë që përdoruesit e rrugës të shqetësohen për sigurinë e këtij aksi.
Për momentin, rruga është e kalueshme, por plasaritjet që po shfaqen janë një indikator i mundshëm për mundësinë e përhapjes së dëmeve dhe ndikimin e mundshëm në strukturën e saj.
E vetmja masë e marrë nga ana e autoriteteve është mbulimi i plasaritjeve ndërsa ekspertët edhe më herët kanë parashikuar se.kjo rrugë ka rrezik për krijimin e defekteve të mëtejshme dhe mundësinë e shembjeve të reja, sikurse ndodhi vitin e kaluar.
Një vit më parë rruga Korçë-Ersekë pesoi shembje të mëdha, që shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturë duke bllokuar qarlullimin e mjeteve dhe kalimin e tyre nga aksi i vjetër.
Kjo ka ngjallur një sërë shqetësimesh për cilësinë e ndërtimit të saj, sidomos duke pasur parasysh koston e lartë të realizimit të projektit.
Rruga, e cila u ndërtua me një kosto të konsiderueshme ishte pjesë e një investimi të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, duke synuar rritjen e lidhjeve mes rajoneve dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
Megjithatë, me dëmtimet e shpeshta dhe shfaqjen e problemeve të stabilitetit, kostoja e lartë e ndërtimit ka ngritur pyetje të mëdha në lidhje me cilësinë dhe qëndrueshmërinë e punimeve.