Kryeministri belg: Përdorimi i aseteve ruse mund të prishë marrëveshjen e paqes

Kryeministri Belgjikës, Bart De Wever, tha se plani i Bashkimit Evropian për të përdorur asetet e ngrira ruse për të financuar Ukrainën mund të rrezikojë shanset për një marrëveshje të mundshme paqeje që do t’i jepte fund luftës gati katërvjeçare.- Advertisement -

Sipas një plani të paraqitur nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, asetet e ngrira të bankës qendrore ruse në Evropë do t’i jepnin hua Ukrainës që t’i përdorte për nevojat e mbrojtjes dhe buxhetit të rregullt.

“Ecja e nxituar përpara me skemën e propozuar të kredisë për dëmshpërblime do të kishte si dëm kolateral, që ne si BE po pengojmë në mënyrë efektive arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje”, tha De Wever në një letër drejtuar Ursula von der Leyen.

Mbështetja e Belgjikës për planin është thelbësore pasi asetet që BE-ja shpreson të përdorë mbahen nga institucioni financiar belg Euroclear.

“Skema e propozuar e kredisë për dëmshpërblime është sipas mendimit tim thelbësisht e gabuar”, tha De Wever, duke shtuar se historikisht, gjatë një lufte, asetet e palëvizshme nuk ishin vënë kurrë në përdorim.

“Asetet e tilla kanë qenë objekt i vendimeve gjatë marrëveshjeve pas luftës, zakonisht në kontekstin e dëmshpërblimeve të luftës nga pala humbëse”, është shprehur ai.