Pavarësia/ Bytyçi: Serbia, agresive në përpjekjet e saj për të parandaluar krijimin e një shteti shqiptar...

Duke komentuar Pavarësinë shqiptare të 1912, analisti dhe studiuesi Enver Bytyçi i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv bëri një analizë të detajuar të rrethanave gjeopolitike të kohës, duke shpjeguar se Kuvendi i Vlorës u mblodh në kushte emergjence ekstreme. Ndërsa Ismail Qemali ngrinte flamurin, ushtritë serbe, greke dhe malazeze kishin pushtuar pjesën më të madhe të territoreve shqiptare.

Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Bytyçi zbuloi detaje tronditëse nga arkivat diplomatike, duke cituar letrat e kryeministrit serb Nikola Pashiç drejtuar Rusisë. Serbia kërkonte me çdo kusht që, nëse do të krijohej një shtet shqiptar, ai të ishte sa më i vogël – konkretisht nga lumi Shkumbin deri në Mat – në mënyrë që të ishte i parëndësishëm dhe lehtësisht i dominueshëm. Qëllimi final i Serbisë dhe Rusisë ishte dalja në detin Adriatik përmes aneksimit të trojeve shqiptare. Bytyçi theksoi se qeveria e Vlorës kontrollonte fillimisht vetëm një territor të vogël rreth 4000 km katrorë (Vlorë-Berat-Lushnje-Fier), pasi pjesa tjetër ishte nën pushtim. Detyra e saj primare ishte njohja ndërkombëtare, një proces që u bë jashtëzakonisht i vështirë për shkak të Aleancës Ballkanike.

Ky segment hedh dritë mbi faktin se mbijetesa e shtetit shqiptar nuk ishte e garantuar dhe se kufijtë e sotëm, sado të padrejtë duke lënë jashtë Kosovën dhe Çamërinë, u arritën falë një lufte të egër diplomatike ku Austro-Hungaria luajti rol kyç përballë pangopësisë sllave.

“Serbia, shpjegoi studiuesi Bytyçi,  ishte veçanërisht agresive në përpjekjet e saj për të parandaluar krijimin e një shteti shqiptar”. Kryeministri serb, Nikola Pashiç, i bëri thirrje vazhdimisht Rusisë që të mos lejonte formimin e Shqipërisë, pasi kjo do t'i bllokonte Serbisë daljen strategjike në detin Adriatik. Në një letër dërguar Shën Petërburgut në mars të vitit 1913, Pashiç paraqiti planin cinik serb: nëse krijimi i një shteti shqiptar ishte i pashmangshëm, ai duhej të ishte sa më i vogël dhe i dobët, me kufij që të mos i kalonin lumin Shkumbin në jug dhe lumin Mat në veri.

Logjika pas këtij propozimi ishte e qartë. “Sa më i vogël të jetë shteti shqiptar, aq më lehtë do ta kemi ne të dominojmë Ballkanin dhe të garantojmë daljen tonë në detin Adriatik”, ishte koncepti i Pashiçit. Serbia shihej si “shkopi” i Rusisë në rajon, dhe përmes saj, Rusia synonte të realizonte ambiciet e veta për të siguruar një bazë ushtarake në portet strategjike të Adriatikut, si Shëngjini apo Durrësi. Pavarësisht këtyre planeve ogurzeza, përpjekjet diplomatike të Ismail Qemalit dhe patriotëve të tjerë arritën të siguronin mbledhjen e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, e cila do të vendoste fatin e kufijve të shtetit të ri shqiptar.

Enver Bytyçi: Në shtëpinë e Xhemal Bej Vlorës u shpall pavarësia e vendit. U mblodh kuvendi fillimisht atë ditë me 50 anëtarë, por me datën 2 dhjetor u bënë 63. Erdhën nga të gjitha trevat e Shqipërisë, erdhën edhe nga Kosova gjysma dhe gjysma tjetër me dy ditë, tre ditë vonesë. Pati dhe nga Maqedonia, pati nga të gjitha trevat shqiptare të Shqipërisë së sotme.

Dhe kuvendi i Vlorës kishte dy detyra emergjente. Detyra e parë dhe kryesore ishte të shtrinte sovranitetin e qeverisë së saj në të gjithë territorin e vendit, po sepse në momentin që u shpall pavarësia, ajo kishte sovranitet dhe autoritet vetëm në 4.000 km2, përfshi Beratin, Lushnjën, Fierin, Vlorën. Pra në këtë zonë, pasi zona të tjera ishin të pushtuara nga grekët në jug, Korça, Saranda dhe me radhë, dhe nga serbët në veri deri në Shkumbin, deri në Durrës.

Sidoqoftë, ishte një situatë shumë e vështirë, një situatë ku pushtuesit fqinjë kishin marrë në dorë territoret shqiptare dhe shpresonin se do t'i administronin dhe aneksonin ato. Në fakt aneksuan një pjesë të mirë të tyre, Çamërinë në jug dhe Kosovën dhe trevat shqiptare të tjera në veri të vendit dhe për pasojë deri në vitin 1999, Shqipëria ishte dhe sot mbetet kjo që është, po së paku kemi dy shtete, kemi edhe shtetin e Kosovës dhe shtetin shqiptar të Shqipërisë.

Kjo do të thotë që qeveria e Vlorës ishte në kushte shumë, shumë të vështira si rezultat i aleancës ballkanike të krijuar midis katër vendeve të Ballkanit, Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Të tre nga këto vende, së paku, kishin sulmuar si grabitqarë territoret shqiptare dhe shqiptarët fatkeqësisht nuk bënë asnjë përpjekje, qoftë edhe simbolike për t'u mbrojtur nga këta grabitqarë fqinjë të asaj kohe, por që Serbia mbetet edhe sot një nga grabitqarët më të rrezikshëm të territoreve dhe trojeve shqiptare.

E elementi i dytë i qeverisë së Vlorës, detyra e dytë ishte njohja e shtetit shqiptar, sepse shpallja e pavarësisë ishte njëra anë, por kërkohej dhe duhej patjetër njohja e këtij shteti. E Ismail Bej Vlora kishte shumë shpresa se njohja do të bëhej shumë shpejt, por fakti që fuqitë ballkanike pushtuan territoret shqiptare me rënien e perandorisë Osmane në Ballkan, atëherë ndryshuan situatat, u rigjallëruan politikat aneksioniste do ta quaja të fuqive të mëdha, sidomos të Rusisë. Serbia dhe Nikola Pashiç, kryeministri i saj i bënin thirrje Rusisë që të mos të mos të formohet dhe të mos ketë, mos ekzistojë një shtet i ri shqiptar, sepse Serbisë pastaj do t'i ndalohej të dali në bregun, në brigjet e detit Adriatik. Dhe përfundimi, në një letër të marsit të vitit 1913 që i bënte Petersburgut, thoshte se,  nëse do të jeni të detyruar të pranoni krijimin e një shteti shqiptar, ai nuk duhet të jetë më i madh sesa nga Shkumbini deri në Mat. Sa më i vogël të jetë shteti shqiptar, sipas konceptit të Pashiç, aq më, aq më lehtë do ta kemi ne të dominojmë Ballkanin dhe të garantojmë daljen tonë në detin Adriatik.

Gjithë qëllimi ishte që Serbia të ishte një shkop i Rusisë në Ballkan dhe të realizonte gjithashtu edhe ambiciet e Rusisë për të patur një bazë, një ushtarake diku në brigjet e Adriatikut, në Shëngjin, në Durrës apo në ndonjë port tjetër ku ku shihej. Dhe them që përpjekjet e Ismail Qemalit bënë që të mblidhet konferenca e ambasadorëve në Londër…