'Pensionistët përballë krizës'/ Xhani: Rritja e premtuar nuk mbulon as nevojat bazë. Shumë kemi dëgjuar, pak kemi shijuar!

Ndonëse qeveria ka lajmëruar rritje për pensionistët, reagimi i tyre është larg festës dhe optimizmit. Përfaqësuesi i pensionistëve, Faik Xhani, deklaroi nga studioja e 'Kafe Shqeto' se shifrat e reja nuk e ndryshojnë situatën e vështirë financiare të kësaj kategorie dhe nuk mjaftojnë për të plotësuar nevojat themelore.

Sipas zotit Xhani, rritja mujore e paralajmëruar është thjesht një “lojë e bukur” dhe një formë e ndryshuar e bonusit të fundvitit.

Ai thekson se pavarësisht premtimeve, pensionistët “pak kanë shijuar” në xhepat e tyre nga këto shtesa, duke i konsideruar ato më shumë si një manovër stilistike sesa një ndihmë reale financiare.

“Do të ishte më mirë që rritja të fillonte nga pensionet e ulëta, sepse ata janë më të nevojshmit. Sot për sot, ata janë në ditë të hallit,” shprehet Xhani.

 

Sipas një llogarie të thjeshtë, një pensionist ka nevojë mesatarisht për 3,000 lekë të reja në muaj vetëm për blerjen e ilaçeve.

Situata bëhet edhe më dramatike kur zbulohet se 26% e pensionistëve, ose praktikisht një e katërta e tyre, nuk kanë mundësi ekonomike të blejnë ilaçet që u rekomandohen nga mjekët.

Duke shtuar edhe detyrime të tjera minimale, kostoja mujore për një pensionist arrin në rreth 6,000 lekë të reja, një shumë që praktikisht konsumon më shumë se gjysmën e një pensioni minimal.

Kjo e vërtetë e hidhur tregon se përtej lajmeve për rritje, realiteti për shumicën e të moshuarve në vend mbetet një luftë e përditshme për mbijetesë.

Deklarata për 'Kafe Shqeto':

"Ç'është e vërteta, jo vetëm që nuk kemi hapur shishet e shampanjës, por edhe sikur të arrihet, përsëri nuk i plotëson nevojat që i duhen pensionistit.

Është një lojë e bukur. Sikur të mos u jepte, do të thoshte aq sa bonusi i vitit, vetëm se ndryshoi stili.

Dëgjoje mirë, çdo gjë po u dha, është gjë e mirë. Me thënë të drejtën, shumë kemi dëgjuar, po pak kemi shijuar.

Pra konkretisht në xhep pak kemi shijuar prej këtyre. Do të jetë mirë ta japin, por unë përsëri edhe me shokët e mi, me zotërinjtë që diskutojmë, me zonjat, themi pse nuk fillon rritja nga pensionet e vegjla? Për shembull, se ato janë më të nevojshëm sot për sot. Ato janë në ditë të hallit. Janë si në kohën e Enverit me përjashtim të konvertimit të lekut.

Kush është në pension që ka dalë para vitit 2014, 31 dhjetorit, është në gjendje shumë, shumë të keqe. Dhe ne kemi bërë një llogari të thjeshtë, që çdo pensionisti i duhet të paktën, duke marrë mesataren, 3 mijë lekë të reja i duhen për ilaçe. Sepse janë, janë 65% e tyre është me një e dy sëmundje kronike. Pra, që i duhen ilaçet, me gjithë ato rimbursimet e nevojshme.

Ka 26% të pensionistëve që nuk marrin dot ilaçet që u rekomandon doktori me efektivitet të lartë. Sepse s'kanë para. Po, që u duhen me efektivitet që u japin, u rekomandojnë doktorët, sepse s'kanë mundësi ekonomike.

Edhe ato, prapë detyrimet e tjera. Atje shkojnë , mesatarisht janë më shumë, po mesatarisht janë edhe ato një 30 mijë lekësh i vjetër, pra 6 mijë lekë të reja në muaj pensionistit i duhet, janë diçka që merr nga arka, përsëri e çon te arka"