‘Messi i ri’? Ky 12-vjeçar shënoi 145 gola sezonin e kaluar dhe ka firmosur një kontratë me Nike
Linja e prodhimit të talenteve të rinj të Barcelonës duket sikur nuk mbaron kurrë. Vitet e fundit kemi parë ngjitjen e lojtarëve si Lamine Yamal dhe Pau Cubarsí, të cilët kanë ndjekur gjurmët e legjendave si Lionel Messi, Andrés Iniesta dhe Xavi. Por tani, reflektorët po zhvendosen edhe më tej, drejt fazave shumë më të hershme.
Zbulimi i talentëve elitar në fëmijëri nuk është kurrë i lehtë, por gjithmonë ka përjashtime të rralla që thyejnë rregullin. Një prej tyre është Destiny Ejiofor.
Ai është vetëm 12 vjeç dhe tashmë po bën bujë, jo vetëm për atë që bën në fushë, por edhe për vëmendjen që tërheq jashtë saj. Destiny aktualisht luan me ekipin U-12 të Barcelonës.
Megjithëse origjina e tij nigeriane mund të sugjeronte se ai mbështetet te forca fizike, realiteti është krejt ndryshe: ai nuk dallohet për shtatlartësinë, por për teknikën e rafinuar dhe aftësinë e jashtëzakonshme me topin.
Ajo që e veçon vërtet është shpejtësia e tij e rrufeshme dhe, mbi të gjitha, instinkti natyral për të shënuar.
Shifrat e tij flasin vetë. Sezonin e kaluar ai shënoi 145 gola në 52 ndeshje. Barcelona zakonisht fiton me rezultate të thella në këto nivele, por ky numër është i pabesueshëm në çdo aspekt.
Tani, në vitin e tij të parë në një fushë me përmasa të rregullta, ai ka shënuar 16 gola në 9 ndeshje.
Një gjeneratë e artë
Ejiofor nuk është talenti i vetëm i jashtëzakonshëm. Ai është pjesë e një grupi fëmijësh jashtëzakonisht të talentuar që po tërheqin vëmendjen e analistëve.
Por ajo që e dallon Destiny është aftësia për të shënuar dhe makina komerciale që po ndërtohet rreth tij, megjithëse është vetëm 12 vjeç.
Firmosi me Nike në moshën 11-vjeçare, duke kaluar madje edhe Neymarin
Nëse golat e tij janë spektakolarë, ajo që po ndodh jashtë fushës është edhe më befasuese. Duke ndjekur raste të rralla si ai i Neymar-it, i cili firmosi me markën amerikane në moshën 13 vjeç, Destiny arriti marrëveshje me Nike që në moshën 11 vjeç.
Lajmi u publikua nga Alex Zahavi i Gol International, i afërm i superagjentit, Pini Zahavi, i cili shkroi:
“Vetëm 11 vjeç, Destiny firmosi kontratën e tij me Nike javën e kaluar. Ai është i ri. Është i talentuar. Dhe po bën gjëra të mëdha.”
Kjo marrëveshje e hershme ka rindezur debatin për presionin komercial mbi lojtarë kaq të vegjël, por Pini Zahavi këmbëngul se kjo është thjesht një lëvizje strategjike e markave të mëdha:
“Ata mundohen të të kontaktojnë herët për të siguruar një marrëveshje të ardhshme. Askush nuk e di nëse lojtari do t’ia dalë.”
Pini Zahavi dhe polemika ligjore
Pini Zahavi, i cili përfaqëson Hansi Flick dhe Robert Lewandowski, është lidhur me të riun, duke ngritur disa pikëpyetje.
Rregullat e FIFA-s ndalojnë agjentët të firmosin kontrata me lojtarë nën 16 vjeç.
I pyetur nga ‘The Times’ nëse po shkelte rregullat, Zahavi u shpreh hapur:
“Më vjen keq, por nuk shoh asnjë problem. Alex po ndihmon familjen. Ne nuk mund të fitojmë para prej tij. Nuk ka asnjë kontratë. Por kështu ndërtohet një marrëdhënie për të ardhmen.”
Sipas agjentit izraelit, ishte familja e Destiny-t që kërkoi ndihmë në negociatat me Nike, ndërsa ai këmbëngul se nuk ka asnjë marrëveshje formale.
“Messi i ri”?
Makineria mediatike tashmë ka filluar të punojë. Zahavi e përshkruan Destiny-n si “një djalë vërtet special”, dhe brenda klubit kanë nisur krahasimet, duke përmendur madje edhe emrin e Lionel Messit për shkak të stilit të tij.
Mbetet për t’u parë nëse Destiny Ejiofor do të mund t’i përmbushë pritshmëritë e jashtëzakonshme që e rrethojnë.
Por një gjë është e sigurt: Barcelona ka në dorë një talent shumë të ri që tashmë po luan në kampionatin e madh të marketingut.