Osmani mesazh nga Shkodra: Kosova ka demokraci të fortë, shpresoj të kemi qeverinë e re sa më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shkodër, në kuadër të aktiviteteve për festat e Nëntorit. Gjatë takimit, Osmani dha një deklaratë për mediat, ku vlerësoi rolin e Shkodrës në mbështetjen e Kosovës ndër vite.

“Shkodra e ka ndihmuar Kosovën në momentet më të rënda. Ka qenë pranë nesh në procesin e rindërtimit tonë. Ecim përpara si dy shtete që synojmë integrimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh Presidentja Osmani.

E pyetur për situatën politike në Kosovë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, Osmani theksoi se proceset zgjedhore janë pjesë normale e funksionimit të një demokracie të qëndrueshme.

“Përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme janë normale në një demokraci. Kosova ka një demokraci elektorale të fortë. Jam e bindur se edhe ky proces do të shkojë mirë. Nuk shoh asnjë problem”, deklaroi ajo.

Presidentja Osmani shtoi më tej se shpresa e saj është që menjëherë pas zgjedhjeve të konstituohet Kuvendi i ri, në mënyrë që të krijohet sa më shpejt qeveria e re.

“Shpresoj të kemi qeveri sa më parë, sepse qytetarët e Kosovës me padurim presin që të merren vendime të tjera të rëndësishme për vendin”, përfundoi Osmani.