Rabiot, zemra e mesfushës kuqezi: nga ‘Duka’ te “Kalë i Çmendur’, mes besimit të Allegri-t dhe shkëlqimit te Milani

Adrien Rabiot, mesfushoi i Milanit, ka dhënë një intervistë të gjatë për ‘La Gazzetta dello Sport’, ku ka folur për aventurën e tij te kuqezinjtë, marrëdhënien me trajnerin Massimiliano Allegri dhe pseudonimin e tij të ri që po bëhet gjithnjë e më i njohur.

Francezi, një nga figurat më të rëndësishme të projektit aktual të Milanit të drejtuar nga Allegri, e cilëson trajnerin kuqezi si një profesionist të jashtëzakonshëm:

‘Ai është fitues dhe më pëlqen personaliteti i tij, mënyra se si stërvit, pasioni që ka për futbollin dhe ambicia e tij. Jep gjithmonë gjithçka dhe e shoh veten në mënyrën e tij të të menduarit. Jashtë fushe pastaj është shumë pozitiv, bën shaka dhe na mban të qetë.»

Rabiot zbuloi se ardhja e tij në Milano mund të kishte ndodhur më herët:

‘Milan më kërkoi edhe verën e kaluar. Isha lojtar i lirë dhe folëm. A do të kishte përfunduar skuadra më lart se vendi i tetë me mua? Nuk e di, por duke parë atë që po bëjmë tani, them se kam ardhur në momentin e duhur. Në korrik më kërkuan sërish, por atëherë ishte e vështirë të largohesha nga Marseille.’

Pas incidentit të famshëm në dhomat e zhveshjes me Rowe, Rabiot pranoi se disa klube të tjera italiane u interesuan për të, por ai kishte bërë zgjedhjen e tij:

‘Në fillim të merkatos Allegri më tha: ‘Do të shohim çfarë ndodh’. Dhe vërtet ndodhi diçka… Nuk e di si e bën, por parashikon edhe të ardhmen!’ – tha mesfushori duke qeshur.

Pseudonimi “Cavallo Pazzo” (Kalë i Çmedur)

Rabiot foli edhe për nofkën e tij të re, që po qarkullon mes tifozëve dhe brenda skuadrës:

“Në Paris isha ‘Le Duc’, në Torino u bëra ‘Il Duca’. ‘Cavallo Pazzo’ më pëlqen dhe më përfaqëson: kur nis vrapimin në fushë… (qesh). Për Landucci-n, që nga koha e Juventusit, jam ende ‘Monsieur’: tingëllon bukur.”

Mesfushori kujtoi edhe presionin pozitiv të trajnerit për t’u rikthyer sa më shpejt:

“Më pyeste tri-katër herë në ditë kur do të kthehesha, por e dinte që dëmtimi ishte serioz dhe donte të luaja vetëm kur të isha plotësisht gati.”

Rabiot duket i integruar plotësisht në projektin e Milanit të Massimiliano Allegri-t, duke u shfaqur si një pikë e fortë në mesin e fushës dhe si një lider i natyrshëm në dhomën e zhveshjes.