Presidenti algjerian: Agresioni izraelit nuk do të sjellë fundin e Palestinës!

Presidenti algjerian Abdelmadjid Tebboune tha të mërkurën se Izraeli po përpiqet ta bëjë jetën të pamundur në Rripin e Gazës, duke theksuar se agresioni izraelit "nuk do të sjellë fundin e Palestinës".

Ministri i Muxhahidinëve (Veteranëve të Luftës) dhe Mbajtësve të të Drejtave të Algjerisë, Abdelmalek Tacherift, lexoi mesazhin e Tebboune në një aktivitet të mbajtur në kryeqytetin Algjer me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez, e cila shënohet çdo vit më 29 nëntor, sipas Shërbimit të Shtypit të Algjerisë (APS).

Në mesazhin e tij, Tebboune nënvizoi se agresioni i vazhdueshëm i Izraelit kundër popullit palestinez, shkel hapur parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Tebboune tha se Izraeli, përveç përpjekjes për ta bërë jetën të pamundur në Gaza, po pushton edhe territoret palestineze në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin e pushtuar.

“Agresioni i vazhdueshëm i Izraelit nuk do të sjellë fundin e Palestinës”, tha ai, duke shtuar se Izraeli synon ta arrijë këtë duke shkatërruar sistematikisht infrastrukturën e Gazës, duke synuar sistemin e kujdesit shëndetësor, duke imponuar rrethim dhe uri, duke shpërfillur rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe duke vazhduar sulmet e tij.

Tebboune i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bëjë çdo përpjekje për të siguruar që Izraeli të përmbushë të drejtën ndërkombëtare, që ai të heqë menjëherë dhe plotësisht bllokadën ndaj Gazës dhe të hapë të gjitha pikat kufitare për të lejuar që ndihma humanitare të arrijë tek popullata.

Duke riafirmuar qëndrimin e vendosur të Algjerisë për t'i mundësuar shtetit të Palestinës anëtarësim të plotë në OKB, ai e quajti këtë "një hap themelor" drejt sigurimit të së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje dhe krijimin e shtetit të tyre.

“Algjeria do të mbetet e përkushtuar për të mbështetur vëllezërit e saj në Palestinën e pushtuar dhe nuk do të kursejë asnjë përpjekje në mbrojtjen e të drejtave të tyre legjitime derisa ata të rifitojnë sovranitetin e plotë dhe të krijojnë një shtet të lirë dhe të pavarur me Jerusalemin si kryeqytet”, tha Tebboune./ AA.