Interi, një vit 2025 për t’u harruar: zero trofe dhe vetëm dy fitore në 17 ‘big match’
Viti 2025 po shndërrohet në një makth të vërtetë për Interin. Ndërmjet fundit të sezonit të kaluar dhe fillimit të këtij sezoni, zikaltrit po përjetojnë më shumë zhgënjime sesa suksese në përballjet me rivalët e mëdhenj. Dy humbjet brenda tri ndeshjeve, ajo në derbi dhe “euro-beffa” kundër Atletico Madridit, e kanë zhytur sërish skuadrën e Cristian Chivu në një krizë që duket se nuk ka fund.
Interi luan mirë, krijon, lufton, por fitoret nuk vijnë: në asnjërën prej pesë humbjeve sezonale nuk ka qenë dukshëm më i dobët se kundërshtari, madje shpesh ka marrë shumë më pak se sa ka prodhuar në fushë.
Është një situatë paradoksale që lidh gjysmën e dytë të sezonit të kaluar me atë aktualin: gjatë gjithë vitit kalendarik 2025, Interi pothuajse nuk ka fituar ndaj rivalëve të mëdhenj. Statistikat janë të pamëshirshme. Në 17 “big match”-et e këtij viti, kundër Milanit, Napolit, Juventusit, Romës dhe në përballjet e Champions League kundër Bayernit, Barcelonës dhe PSG-së në finale, zikaltrit kanë arritur vetëm dy fitore: ndeshjen e parë të çerekfinaleve në Mynih kundër Bayernit dhe triumfin ndaj Romës pas pushimit të tetorit.
Do të mund të shtohej edhe gjysmëfinalja e paharrueshme kundër Barcelonës, por ajo fitore erdhi pas minutës së 90-të dhe nuk ndryshon thelbin e problemit. Edhe më tronditëse është statistika ndaj Milanit, Napolit dhe Juventusit: Interi nuk ka fituar asnjë ndeshje kundër këtyre tre rivalëve që nga derbi i 22 prillit 2024, ai që solli ‘yllin’ e dytë në fanellë.
Kjo “agjërim” ka zgjatur shumë për një skuadër që synon majat e futbollit italian dhe europian. Rezultatet e fushës po ngrenë pikëpyetje serioze mbi nivelin real të Interit: sa herë që kundërshtari është i kalibrit të ngjashëm, Interi nuk fiton, edhe pse rrallëherë mposhtet në mënyrë të bindshme (përjashtuar finalen e Champions League).
Tani topi është në duart e trajnerit Chivu. Nëse Interi dëshiron të ecë përpara në Europë apo të synojë objektiva prestigjiozë si titulli kampion, kjo prirje e rrezikshme duhet të ndërpritet sa më shpejt. Përndryshe, viti 2025 do të mbahet mend si një kapitull i errët në historinë e zikaltërve.