Radojeviçi tërhiqet, por rendi kushtetues fitoi, merita e qeverisë Kurti që s’u lejua shkelja e shtetit

Lista Serbe u tërhoq nga thirrja e parë për seancën konstituive të Mitrovicës së Veriut sapo pa se dokumenti i ri tashmë mbante emrin zyrtar “Republika e Kosovës” dhe ishte shkruar edhe në gjuhën shqipe. Në fillim, kryetari i sapozgjedhur, Milan Radojeviq, kishte dërguar një ftesë vetëm në gjuhën serbe dhe pa emrin e shtetit. Kjo bie ndesh me ligjin dhe me standardet kushtetuese që duhen respektuar në çdo institucion të vendit.

 

Ligji është i qartë për këtë çështje. Çdo dokument zyrtar duhet të ketë emrin “Republika e Kosovës” dhe të përgatitet në të dyja gjuhët zyrtare, shqip dhe serbisht. Në momentin që këto kërkesa nuk plotësohen, dokumenti humbet vlerën dhe nuk mund të përdoret për mbajtjen e një seance të Kuvendit Komunal. Pikërisht për këtë arsye, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal refuzoi mbajtjen e seancës më 5 dhjetor, sepse thirrja e bërë nga Radojeviqi nuk plotësonte asnjë nga këto kushte.

Edhe pse më pas u dërgua një ftesë e rregulluar që përmbante emrin e shtetit dhe gjuhën shqipe, Lista Serbe dhe Radojeviqi sërish thanë se nuk do ta respektojnë rendin kushtetues të Kosovës. Kjo tregon se problemi i tyre nuk ishte dokumenti, por vetë fakti që institucionet e Kosovës po kërkojnë që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.

Në këtë situatë u duk qartë roli i qeverisë Kurti dhe i ministrive përkatëse. Nuk u lejua asnjë shkelje, asnjë tolerim dhe asnjë hap që do të cenonte emrin e shtetit apo funksionimin e ligjit. Përballë presionit politik dhe manovrave të Listës Serbe, institucionet qëndruan të vendosura. U tregua se Republika e Kosovës është mbi të gjitha, dhe se standardi ligjor nuk ulet për askënd, raporton Syri Kosova.

Ky rast e bëri të qartë se vetëm kur institucionet qëndrojnë fort, shteti funksionon si duhet. Në këtë proces u pa qartë edhe merita e qeverisë Kurti, e cila mbrojti rendin kushtetues pa asnjë lëshim dhe pa asnjë hezitim.