Mblidhet sot Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ja çfarë pritet të diskutohet

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të mblidhet sot në orën 12:30, në mbledhjen e tij të dytë zyrtare.

Raportohet se në qendër të diskutimeve do të jenë çështje organizative, përfshirë ngritjen e Sekretariatit dhe miratimin e një kalendari të qartë të punës.

Gjatë mbledhjes pritet të miratohet edhe numri i ekspertëve që do të asistojnë deputetët në procesin e reformës.

Kjo është mbledhja e dytë e komisionit, ndërsa e para u zhvillua rreth një muaj më parë dhe u bojkotua nga Partia Demokratike. Sot pritet që në tryezë të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e opozitës, përfshirë bashkëkryetarin Luçiano Boçi.