Për të shpëtuar Italinë, Meloni duhet ta depolitizojë sistemin e saj gjyqësor
Nga Rafael Pinto Borges - European Conservative/
Thjesht mbijetesa s'para është një virtyt i lavdërueshëm në politikë. Por është në rastin e kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni. Manovrat e saj mjeshtërore politike na kanë bërë të harrojmë sa të koklavitur janë korridoret e pushtetit në Romë. Italia, në fund të fundit, është një vend koalicionesh që shemben, qeverish që shpërthejnë dhe kryeministrash mandati i të cilëve shpesh matet me ditë. Siç kushtetuta franceze e De Golit e vitit 1958 synonte të siguronte stabilitet duke krijuar një ekzekutiv të fuqishëm, edhe sistemi politik italian ishte dizajnuar me kujdes për të penguar qeverisjen: Kreu i qeverisë, kryetari i Këshillit të Ministrave, duhet të lundrojë në një kushtetutë që e bën peng të një presidenti të republikës të zgjedhur nga parlamenti, si dhe të dy dhomave po aq të rëndësishme të legjislativit, dhomës së deputetëve dhe senatit të republikës. Kjo, së bashku me rendin politik shumëqendror të Italisë, e ka kthyer Republikën Italiane në një rrëmujë kaotike e të lëkundur të cilës pak politikanë i kanë mbijetuar. Italia ka pasur 30 kryeministra dhe 70 qeveri që nga viti 1947. SHBA-ja ka pasur 15 presidentë në të njëjtën periudhë. Franca ka pasur 11.
E megjithatë, Meloni, një grua që dikur u shpërfill nga shtypi europian si një ethe kalimtare nacionaliste, është tashmë kryeministrja e tretë me mandatin më të gjatë në republikë. Ndoshta tashmë në fillimet e karrierës së saj, Meloni ka tejkaluar mandatin e kryedemokratit të krishterë Alcide de Gasperi. Ajo gëzon popullaritet të qëndrueshëm dhe do të fitonte në mënyrë dërrmuese çdo zgjedhje që do të mbahej sot. Është sikur ligjet e zakonshme të gravitetit të politikës italiane nuk vlejnë për të.
Ajo e arriti këtë jetëgjatësi, të paktën pjesërisht, falë një lloj durimi strategjik që kritikët e saj mendonin se i mungonte. Të jem i sinqertë, dikur kam qenë edhe unë një prej tyre. Gjatë viteve të para, ajo qeverisi me njërin sy të ngulur te ulërimat që vinin nga Brukseli, duke sinjalizuar qetësi, moderim dhe parashikueshmëri. Kjo shërbeu për të shuar frikën e establishmentit liberal të Brukselit ndaj nacionalizmit të Melonit. Por ndërsa vëmendja ishte te toni i saj, ajo grumbulloi në heshtje fitore në çështje kulturore e sociale, duke thurur fillimet e një lëvizjeje nacionaliste, konservatore dhe populiste gjithëperëndimore që shtrihet përtej kufijve të Italisë.
Tani që pozita e saj është e qëndrueshme, situata ndërkombëtare është përmirësuar shumë pas rikthimit të Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë, dhe një buxhet i forcuar ka ulur varësinë e Romës nga Brukseli dhe Banka Qendrore Europiane, Meloni ka filluar të bëhet më e guximshme. Dhe plani i saj më me peshë, ai që ka shkaktuar një lloj paniku institucional në kupolat e Italisë, është përpjekja për të rikalibruar zemrën e shtetit të thellë italian: sistemin gjyqësor të vendit.
Komploti i zbuluar së fundmi që përfshin Francesco Saverio Garofanin, këshilltar i lartë të presidentit Sergio Mattarella, me qëllim të dukshëm për të dobësuar dhe zëvendësuar Melonin, tregon se një lojë e ndërlikuar vazhdon të luhet në hije. Reforma gjyqësore e Melonit nuk ka lidhje me këtë gjë; politika paraprin lëvizjet e errëta të presidencës. Por ajo që tregon është se, duke mos qenë në gjendje të rikthejë besimin dhe votat e popullit italian, establishmenti eurofil po përpiqet fort të minojë procesin politik në avantazhin e vet. Sistemi skajshmërisht i njëanshëm gjyqësor është, bashkë me presidencën, arma e tij kryesore.
Reforma e Melonit është strukturore: një ndarje mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, në mënyrë që i njëjti person të mos luajë të dy rolet; një ristrukturim i këshillit mbikëqyrës që të mos jetë një klub i brendshëm i magjistratëve që vetëkontrollohen; dhe kalimi nga zgjedhjet, të manipuluara prej kohësh nga blloqe aktiviste brenda gjyqësorit, në një sistem ku gjysma e këshillit zgjidhet me short. Jo një revolucion, por megjithatë transformuese.
Megjithatë, opozita italiane reagoi sikur Meloni të kishte propozuar shpërbërjen e kushtetutës dhe shpalljen e vetes regjente. "Një kërcënim për demokracinë," ulëritën ligjvënësit, "një sulm ndaj shtetit të së drejtës." Madje parlamentarët ishin pranë një sherri fizik kur projektligji u miratua. E gjitha do të ishte shumë dramatike, po të mos ishte kaq e parashikueshme.
Për të kuptuar ashpërsinë e kundërpërgjigjes, është thelbësore të shohësh përtej kufijve të Italisë. Në mbarë Europën dhe Perëndimin e gjerë, elitat gjyqësore kanë vepruar në mënyrë të përsëritur si arma e preferuar e establishmentit kundër populistëve konservatorë. Në Rumani, një kandidat nacionalist shumë i popullarizuar, Calin Georgescu, u ndalua të garonte, sepse me sa duket, votuesit duheshin "mbrojtur" nga mundësia për të votuar për të. Gjermania ndiqte penalisht një anëtar të AfD-së për deklarimin e një të vërtete të pakëndshme statistikore, dhe kur çështja filloi të dukej e shëmtuar, politikanët ndryshuan rregullat, jo për të korrigjuar pabarazinë, por për të "mbrojtur" gjyqësorin nga qeveritë e ardhshme populiste.
Polonia është shembulli paralajmërues në kah të kundërt: gjyqtarët e emëruar nga partia konservatore Ligj dhe Drejtësi u shpallën të paligjshëm nga opozita, dhe tani Donald Tusk thjesht injoron vendimet e tyre kur nuk i pëlqejnë. Ai madje ka shkuar deri te spastrimi i tyre për t'i zëvendësuar me besnikë të bindur. Gjyqtarët, me sa duket, janë të pavarur kur vendosin në favor të establishmentit, por politikë kur nuk e bëjnë këtë.
Pas zemërimit për reformën e Melonit qëndron frika e një establishmenti të rrezikuar: sistemet gjyqësore në Europë po e shohin gjithnjë e më shumë veten jo si organe neutrale, por si rojtarë të një rendi ideologjik që i trajton populistët jo si një trupë elektorale që duhet përfaqësuar, por si një patologji që duhet kontrolluar.
Italia nuk bën përjashtim. Komenti i rrjedhur nga një gjyqtar italian që e quante Melonin "të rrezikshme" zbuloi më shumë sesa synonte. Ai tregoi se gjyqësori, ose të paktën pjesë të konsiderueshme të tij, e sheh veten jo si arbitër, por si pjesëmarrës aktiv politik, që ndien se ka të drejtë të ndërhyjë kur demokracia sjell rezultatin e gabuar.
Për ta bërë gjyqësorin e Italisë t'u kthehet njerëzve, Meloni do të duhet të shkojë përtej rregullimeve administrative. Ajo që i duhet Italisë nuk është thjesht një gjyqësor më i pastër. I duhet një gjyqësor më pak politik: një gjyqësor që nuk mund të imponojë preferencat e veta ideologjike nëpërmjet kanaleve të errëta, që jep drejtësi të paanshme dhe jo të tentojë të qeverisë. Populistët në gjithë Perëndimin e kanë mësuar në kurriz të tyre se nëse nuk e trajton këtë pabarazi herët, gjykatat do të mbushin vakuumin e autoritetit me një shpejtësi të habitshme. Mjafton të përmendet Alexandre de Moraes në Brazil, një gjyqtar i pa zgjedhur që ka arritur të mbledhë një fuqi të jashtëzakonshme politike pa u përballur kurrë me votën, duke e përdorur atë për të ndjekur penalisht të djathtën pa asnjë skrupull të moraltë.
Nëse Italia do të shpëtohet nga reflekset e veta institucionale, gjyqësori duhet të depolitizohet. Çdo gjë që është më pak se kaq do të përpihet tërësisht nga rendi i vjetër. Meloni e kupton këtë, për fat të mirë, ndaj duhet të vazhdojë derisa puna të përfundojë.