VIDEO/ Arrestohen dy shtetase kineze në Shkodër, ushtronin prostitucion
Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Rent house 2”, duke goditur një tjetër aktivitet të paligjshëm të ushtrimit të prostitucionit në qytet. Tre persona kanë rënë në pranga, ndërsa është sekuestruar një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga veprimtaria kriminale, si dhe pesë celularë që shërbenin për komunikime dhe organizimin e aktivitetit.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Gjatë kontrollit, shërbimet policore konstatuan një apartament në lagjen “Parrucë”, i cili ishte marrë me qira dhe ishte përshtatur posaçërisht për ushtrimin e prostitucionit.
Nga ndërhyrja u arrestuan në flagrancë: Sh. J., 34 vjeçe, dhe Y. P., 46 vjeçe, shtetase kineze, qiramarrëse të apartamentit ku ushtrohej prostitucioni; E. K., 37 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet të paligjshëm.
Materialet i janë referuar Prokurorisë, e cila po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.