Arteta në delir pas fitores me Bayernin: Mundëm skuadrën më të mirë në Europë
Mikel Arteta beson se Arsenali mundi “skuadrën më të mirë në Europë” pasi fitoi përplasjen e madhe evropiane kundër Bayern Munichut me rezultatin 3-1.
Golat në pjesën e dytë nga Noni Madueke dhe Gabriel Martinelli i dhanë Arsenalit një fitore të fortë, duke e lënë lideren e Premierligës në krye edhe të tabelës së Ligës së Kampionëve.
Jurrien Timber shënoi i pari me kokë për Arsenalin, dhe meqë ish-sulmuesi i Tottenhamit, Harry Kane, nuk arriti të shtonte në kuotën e tij prej gjashtë golash në Emirates, ishte 17-vjeçari i Bayernit, Lennart Karl, ai që barazoi — goli i parë që Arsenali pëson këtë sezon në Champions.
Madueke, i rikthyer pas dy muajsh mungesë për shkak të një dëmtimi në gju, shënoi golin e tij të parë me fanellën e Arsenalit, para se zëvendësuesi tjetër, Martinelli, të përfitonte nga një gabim i portierit Manuel Neuer, duke e çuar në pesë fitore nga pesë ndeshje rekordin e përsosur të Arsenalit në këtë garë.
Duke qenë se të dy skuadrat janë thuajse të kualifikuara për fazën e eliminatoreve, kjo përballje luksoze mund të konsiderohej madje si ndeshja më pak e rëndësishme e javës për Arsenalin, e futur mes fitores 4-1 në derbin ndaj Spurs dhe udhëtimit të së dielës te Chelsea i vendit të dytë.
Por Arteta nuk kishte asnjë dyshim për rëndësinë e kësaj fitoreje të merituar ndaj liderëve të Bundesligës.
“Duhet t’i lavdëroj lojtarët tanë, sepse mendoj se zhvilluan një ndeshje të jashtëzakonshme kundër, sipas mendimit tim, skuadrës më të mirë në Europë”, tha ai.