Përgatitet projektligji për mbikëqyrjen shtesë të konglomerateve financiare
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur një projektligj për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare. Miratimi i një ligji të tillë është pjesë e harmonizimit të nevojshëm të legjislacionit me Bashkimin Europian.
Ai ka si qëllim përcaktimin e rregullave për ushtrimin e mbikëqyrjes shtesë të subjekteve të mbikëqyrura, të cilat janë të licencuara në përputhje me aktet ligjore që rregullojnë veprimtaritë e institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve, shoqërive komisionere, shoqërive administruese të fondeve të investimeve të hapura me ofertë publike ose shoqërive administruese të fondeve alternative të investimeve, të cilat janë pjesë e një konglomerati financiar.
Mbikëqyrja shtesë e subjekteve që janë pjesë e një konglomerati financiar do të kryhet krahas mbikëqyrjes së tyre sipas legjislacionit përkatës të sektorit ku subjekti bën pjesë.
Konglomerat financiar përcaktohet se është grupi ose nëngrupi, në krye të të cilit ndodhet një subjekt i mbikëqyrur, ose në të cilin të paktën një nga shoqëritë bija të tij përbën një subjekt të mbikëqyrur në sektorin financiar.
Për të përcaktuar nëse veprimtaritë e një grupi ushtrohen kryesisht në sektorin financiar, raporti ndërmjet totalit të aktiveve të subjekteve të mbikëqyrura të grupit në sektorin financiar dhe totalit të aktiveve të grupit në tërësi, duhet të jetë mbi 40%.
Për të garantuar ushtrimin në mënyrë të koordinuar dhe efektive të mbikëqyrjes shtesë mbi subjektet e mbikëqyrura në një konglomerat financiar, një nga autoritetet mbikëqyrëse përkatëse do të caktohet si koordinator. Koordinatori do të jetë përgjegjës për drejtimin dhe bashkërendimin e mbikëqyrjes shtesë ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse përkatëse, përfshirë edhe ato të shtetit në të cilin ndodhet selia e shoqërisë financiare zotëruese të përzier, nëse kjo ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë do të jetë në rolin e koordinatorit kur konglomerati financiar drejtohet nga institucion krediti i licencuar nga Banka e Shqipërisë ose në rastet kur një institucion i tillë është pjesë e grupit, pavarësisht se mund të mos e drejtojë konglometarin.
Në mënyrë të ngjashme, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të jetë në rolin e koordinatorit në rastet kur konglomerati financiar drejtohet nga një shoqëri e licencuar prej saj ose është një institucion i licencuar nga AMF është pjesë e konglometatit në fjalë. Në rastet kur konglomeratet kanë brenda tyre institcuione të licencuara nga të dy autoritetet rregullatorë, koordinator do të jetë rregullatori që mbikëqyr institucionin më të madh për nga vlera e aktiveve.
Brenda dymbëdhjetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, secili për fushën e vet të përgjegjësisë, duhet të miratojnë ose përshtatin rregullat e tyre sektoriale me qëllim zbatimin e këtij ligji, përfshirë metodologjinë e përllogaritjes së kërkesave për mjaftueshmërinë e kapitalit, fondet e veta, aftësinë paguese, kufizimet për transaksionet brenda grupit dhe përqendrimin e rrezikut në nivelin e konglomeratit financiar.
Gjithashtu, brenda dymbëdhjetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, këto dy institucione duhet të miratojnë udhëzime të përbashkëta për të siguruar zbatim të harmonizuar ndërsektorial dhe për të shmangur mbivendosjen e kërkesave prudenciale për subjektet e mbikëqyrura që janë pjesë e një konglomerati financiar.
Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të miratojnë edhe udhëzimet e përbashkëta lidhur me pragjet dhe përcaktimi i sektorëve të rëndësishëm financiarë, përqendrimin e rrezikut në nivel konglomerati financiar, transaksionet brenda grupit, proceset e administrimit të rrezikut dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm, mënyrën e kryerjes së vlerësimeve të bazuara në rrezik ndaj konglomerateve financiare, si dhe për zhvillimin e praktikave të harmonizuara të mbikëqyrjes ndërsektoriale dhe marrëveshjet e koordinimit ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse./ Monitor/