Alarmi nga zona naftëmbajtëse, naftëtari: Rritje e sëmundjeve të rënda, institucionet nuk bëjnë studime

Një situatë alarmante paraqitet në zonat naftëmbajtëse, ku banorët dhe punonjësit përballen çdo vit me një rritje të numrit të sëmundjeve të rënda.

Në lidhje me skype për KAFE SHQETO në SYRI TV, Dritan Rrapushi, naftëtar dhe përfaqësues i sindikatës së naftëtarëve ngre shqetësimin se, pavarësisht se rastet e reja të personave të diagnostikuar me sëmundje të rënda shtohen vazhdimisht, mungon një studim i mirëfilltë shkencor apo institucional për të vlerësuar ndikimin e ndotjes në shëndetin e popullatës.

Sipas Rrapushit, analizat që kryhen për punonjësit janë të pamjaftueshme dhe nuk arrijnë të tregojnë tablonë e plotë. Ai thekson nevojën urgjente për një studim të thelluar që të identifikojë origjinën e këtyre sëmundjeve dhe lidhjen e tyre me proceset teknologjike të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, të cilat po e rëndojnë gjendjen shëndetësore të banorëve.

Ndër problematikat kryesore të denoncuara janë menaxhimi i mbetjeve të naftës në të ashtuquajturat “gropa ekologjike”, djegia e pakontrolluar e gazrave dhe ndotja masive e ajrit. Pluhuri i dendur i ngritur nga mjetet e rënda industriale gjatë verës e bën ajrin thuajse të pathithshëm, duke i detyruar banorët të ndryshojnë rrugë për të shmangur zonat më të ndotura.

Rrapushi shprehet se situata është përkeqësuar edhe më tej nga përmbytjet e fundit, ku ujërat e lumit janë përzier me mbetjet e naftës të depozituara në tokë prej vitesh, duke krijuar një tjetër vatër rreziku për shëndetin publik.

Naftëtari bën me dije se i kanë dërguar një kërkesë kompanisë operuese për të marrë informacion mbi këto procese dhe se kanë nisur raportimin e problemeve. Megjithatë, ai thekson se zgjidhja kërkon një ndërhyrje sistematike, ku shteti duhet t'i imponojë kompanisë marrjen e masave, pasi një zgjidhje vullnetare shihet si e pamundur për shkak të kostove të larta.

Në këto kushte, banorët dhe punonjësit ndihen të lënë në mëshirë të fatit, duke u përballur me një kërcënim të vazhdueshëm për jetën, në pritje të një ndërhyrjeje konkrete nga autoritetet përgjegjëse.

Rrapushi:

Ne fakt i presim këto rezultate, sepse dhe vetë e shohim edhe me njerëzit, me punonjësit tanë që për vit shtohet ndonjë, del dikush i diagnostikuar me sëmundje të rënda. Nga këto që kanë dalë në raport, por nuk e di se si kanë dalë këto lloj analizash, sepse realisht nuk kam parë ndonjë studim vërtet shkencor apo institucional që të merret me shëndetin e banorëve dhe punonjësve aty. Bëhen analiza për punonjësit. Por shumë pak tregojnë ato analiza.

Duhet bërë një studim i mirëfilltë për të gjetur edhe origjinën, se nga nga vijnë këto sëmundje, pse shtohet ky lloj trendi i sëmundjeve? Cilat janë elementët e proceset teknologjike që sjellin këtë agravim të shëndetit të banorëve dhe të punonjësve? Ne realisht kemi bërë edhe një kërkesë së fundmi Bankers-it, ku i kërkojmë disa informacione për disa procese që bëhen aty.

Si për shembull, te gropat ekologjike. Janë mbledhja e mbetjeve të naftës edhe përpunimit, nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, dhe ruhen nëpër gropa ekologjike. Këto gropa kanë disa kushte që duhet të zbatojnë. Kemi kërkuar informacion si po zbatohen këto kushte. Për kaldajat, për djegien e gazrave që bëhen aty. Në çfarë nivelesh bëhen këto gazra dhe si studiohet, si monitorohen më saktë, këto ndotjet në ajër?

Së fundmi ka dalë edhe lumi në një pjesë të zonës naftë-nxjerrëse. Ai lumë është i përzier tashmë me gjithë mbetjet që ka lënë në tokë këto proceset teknologjike të naftë-nxjerrjes. Atëherë të gjitha këto duhen studiuar ditë pas dite dhe sot duhet të ishin në studim, por realisht nuk ka ardhur ndonjë studim konkret, që të monitorojë ujërat, ajrin apo çdo lloj gjëje tjetër që infekton dhe afekton shëndetin e njerëzve.

Në nivelin e përgjithshëm shumë pak që mund të bëhet, thjesht të evitosh disa zona super të ndotura, ku gjatë verës për shembull, pluhuri është shumë i dendur. Në shumë rrugë që tekalojnë makinat industriale, kamionë dhe makinat e punës, ngrejnë një pluhur shumë të lartë. Edhe banorët të paktën mund të evitojnë ato zona. Mos të kalojnë, i bie një rruge më të gjatë për të paktën mos të përballen me atë pluhur. Pra aq sa munden. Por nuk është se mund të bëjnë shumë. Kjo duhet bërë në mënyrë sistematike nga kompania dhe nga shteti, por për kompaninë kjo është një kosto e madhe që është shteti që duhet t'ia imponojë, nuk bëhet me vullnetarizëm.

Atëherë, ne e kemi ngritur çështjen e shëndetit për kushtet e punës më tepër, sepse ne jemi, dhe sindikatë. Sindikata ka më tepër me lidhjet e kushtet e punës me punonjësit. Kurse me komunitetin ka shoqata të cilat afrohen, kërkojnë informacion, ne u japim informacion dhe ato lëvizin aq sa munden, ato që munden sepse ka dhe shoqata që nuk e bëjnë punën e tyre.

Kjo duhet thënë sepse e kemi parë që gjatë protestës tonë disa shoqata që ishin të përfshira në monitorimin e ambientit nuk u përfshinë gjatë grevës. Ndërsa disa të tjera po, ato që kanë vërtet objektiva të qarta dhe transparente. Atëherë neve jemi munduar që t'i kërkojmë kompanisë të gjitha informacionet edhe t'i raportojmë. Tani më kemi kaluar në hapin që po i raportojmë këto probleme te kompanisë dhe i kemi thënë që do t'i ndjekim edhe më tej.