Qindra hektarë tokë bujqësore nën ujë, fshati Murqinë në Krujë i izoluar pas daljes nga shtrati të lumit Ishem

Qinda hektarë tokë bujqësore, të mbjella me kultura të ndryshme, janë gdhirë nën ujë mëngjesin e sotëm në fshatin Murqinë të Krujës.

Shkak i kësaj situate është bërë dalja nga shtrati e lumit Ishem, si pasojë e reshjeve të dendura të rëna gjatë 24 orëve të fundit.

Lagja fundore e fshatit Murqinë, që lidh pjesën tjetër të vendit, është e izoluar pasi rruga është mbuluar nga uji. Niveli i tij në disa pika shkon rreth 40 cm, duke e bërë rrugën të kalueshme vetëm me mjete të larta.

Fatmirësisht, deri në këto momente nuk raportohet për problematika të tjera, por gjithçka varet nga reshjet dhe prurjet e lumit nga Tirana. Nëse shirat do të vazhdojnë me intensitet, prurjet e lumit mund të rriten dhe situata të rëndohet.

Mjafton të kujtojmë se në të kaluarën, për të evakuuar banorët nga disa lagje të këtij fshati, ka qenë e nevojshme ndërhyrja e peshkatarëve me gomone dhe gjithashtu e helikopterëve.

Është shqetësues fakti se edhe pse kjo zonë përmbytet çdo vit, madje disa herë brenda një viti, nuk është marrë asnjë masë për përmirësimin e gjendjes, e cila vazhdon prej dekadash.