Tragjedia e paralajmëruar/ Një cigare shkaktoi ferrin e Hong Kongut

Nga Jennifer Renk, BILD

Ende është ende herët për të thënë me siguri se çfarë e shkaktoi njërin nga zjarret më të rwnda në historinë e Hong Kongut, me të paktën 55 të vdekur. Gati 300 njerëz rezultojnë të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimin për të mbijetuar në kompleksin e banesave “Wang Fuk Court”. Hetuesit tani duhet ta zbulojnë hap pas hapi se çfarë e shkaktoi katastrofën të mërkurën. Ja çfarë dihet deri tani dhe pse cigaret mund të luajnë një rol.

Sapo nisi zjarri të mërkurën në orën 14:51 me orën lokale, në zonën gjigante (tetë blloqe banimi, 32 kate, pothuajse 2000 apartamente), nisën edhe dyshimet e para për shkakun. Fotot tregojnë se në muret e jashtme të shtatë ndërtesave (e teta mbeti e paprekur) disa skela ndërtimi prej bambuje ishin përfshirë nga flakët dhe pjesë të tyre po binin në tokë. Që nga korriku 2024 kompleksi ishte në rinovim.

A e ka përshpejtuar bambuja, e cila përdoret shpesh për ndërtimin e skelave në Hong Kong, këtë katastrofë? Ky nuk është i vetmi drejtim që tani duhet hetuar me kujdes.

Dritaret të mbuluara me stiropor

Kiko Ma jeton në Kanada, por ka edhe një apartament në Wang Fuk Court. Ajo i tregoi BBC-së se dritaret e apartamentit të saj kishin qenë të mbyllura dhe të vulosura për më shumë se një vit për shkak të punimeve të rinovimit. Siç shkruan gazeta ‘South China Morning Post’, hetuesit zbuluan se dritaret në çdo kat kishin qenë të veshura me stiropor – sipas autoriteteve, një përshpejtues i vërtetë zjarri!

Punëtorët hidhnin cigare, banorët të shqetësuar

Kiko Ma tregon se ndonjëherë kishte gjetur bishta cigaresh pranë dritareve dhe beson se punëtorët e ndërtimit i kishin hedhur aty. “Njerëzit pyesnin vazhdimisht se çfarë do të ndodhte nëse do të shpërthente zjarr. Të gjithë ishin shumë të shqetësuar,” thotë ajo.

Një burrë që u prezantua për China South Morning Post si z. Tang ka vërejtur gjëra të ngjashme: bishta cigaresh të hedhur pakujdesshëm nga punëtorët dhe banorët.

Alarmet e zjarrit thuhet se ishin jashtë funksionit

Lista e gjërave që thuhet se kanë shkuar keq në këtë mega-kompleks është edhe më e gjatë. Disa alarme zjarri në Wang Fuk Court paskan qenë të çaktivizuar gjatë punimeve të rinovimit, thotë Kiko Ma. Arsyeja: punëtorët i përdornin rregullisht shkallët e emergjencës për të hyrë dhe dalë nga ndërtesa.

Rrjetat e skelës thuhet se kanë qenë me probleme

Z. Tang shton për Post se ai dhe fqinjët kishin shqetësime për rrjetat e vendosura në skela. Dhe me të vërtetë: sipas zjarrfikësve në vendngjarje, rrjetat mbrojtëse dhe najlonët plastike kanë marrë flakë shumë më intensivisht sesa duhet të ndodhte me materiale të certifikuara. Kështu raporton The Standard Hong Kong. Për më tepër, pretendohet se në pjesët e padëmtuara të ndërtesave, kanalet e ajrimit kanë qenë të bllokuara me panele shkumëzuese.

Punonjës të kompanisë së rinovimit u arrestuan

Tre persona – dy drejtues dhe një këshilltar i kompanisë së ndërtimit që ishte përgjegjëse për rinovimin e ndërtesës – u arrestuan për vrasje nga pakujdesia. “Kemi arsye të besojmë se përgjegjësit e kompanisë kanë vepruar me neglizhencë të rëndë, gjë që çoi në këtë aksident dhe lejoi që zjarri të përhapej pa kontroll, duke shkaktuar shumë viktima,” tha Eileen Chung nga policia e Hong Kongut.