E rëndë në Elbasan/ 39-vjeçari i dehur mbytet në përroin e fshatit Mlizë
Një 39-vjeçar nga fshati Mlizë i Elbasanit është mbytur në përroin që kalon pranë fshatit.
Ilia Tahiri dyshohet se ka qenë në gjendje të dehur. Kur ai nuk u kthye në shtëpi në drekë, familjarët dhanë alarmin dhe nisën kërkimet përgjatë shtratit të përroit.
Pamjet e kamerave të disa bizneseve pranë zonës kanë fiksuar momentet kur 39-vjeçari është rrëmbyer nga rrjedha e fuqishme e ujit, duke ndihmuar grupet e kërkimit në përcaktimin e drejtimit të lëvizjes së trupit.
Kërkimet kanë vijuar gjatë gjithë natës nga ekipet e zjarrfikësve dhe strukturat e emergjencave civile të Elbasanit.
Trupi i pajetë i të ndjerit është gjetur mëngjesin e sotëm, rreth 1 kilometër larg urës ku dyshohet se ndodhi ngjarja.
Njoftimi i policisë:
Më datë 26.11.2025, rreth orës 20:00, kanë kallëzuar familjarët e shtetasit I. T., 39 vjeç, se ai është larguar nga banesa dje, rreth orës 13:00.
Menjëherë pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle të pandërprera për gjetjen e 39-vjeçarit. Gjatë kontrolleve në fshatin Kryezjarr, u gjet në një përrua, trupi i pajetë i shtetasit I. T.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 39-vjeçari ka rënë aksidentalisht në përrua dhe për pasojë është mbytur.