Një në tre shqiptarë planifikon emigrimin, puna dhe jetesa më e mirë arsyet kryesore
Në Shqipëri, njerëzit me synime migrimi në të ardhmen e afërt ose të largët përbëjnë 33% të popullsisë, një nga nivelet më të larta në rajonin e CESEE (Europa Qendrore, Lindore dhe Juglindore) dhe një tregues i qartë i presionit të vazhdueshëm demografik që vendi po përjeton.
Kjo shifër përfshin ata që planifikojnë të largohen brenda një viti, ata që konsiderojnë emigrimin në dekadën e ardhshme, si dhe një pjesë të konsiderueshme të individëve që nuk e përjashtojnë kategorikisht mundësinë e emigrimit. Diferenca me vendet e Europës Qendrore është e ndjeshme: në Çeki dhe Hungari, vetëm 7% e popullsisë raporton synime të tilla.
Të dhënat vijnë nga raporti i vitit 2024 e OeNB Euro Survey, i cili mat rregullisht qëndrimet ndaj migrimit në vendet e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Sondazhi i fundit tregon se, megjithëse dëshira për emigrim në afatin e afërt ka rënë në shumicën e vendeve krahasuar me vitet para pandemisë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten përjashtime të dukshme.
Në vitin 2024, 10% e shqiptarëve dhe 11% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut shprehnin synim për t’u larguar brenda një viti, nivelet më të larta në rajon. Vendet e tjera si Serbia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria dhe Polonia shënojnë shifra më të ulëta, nga 2% deri në 5%, ndërsa Hungaria dhe Çekia raportojnë më pak se 2%.
Në vitin 2019, para pandemisë, mesatarisht 7% e banorëve në vendet e CESEE planifikonin të emigronin brenda vitit të ardhshëm, ndërsa kjo shifër ra në 5% në vitin 2021 dhe 4.5% në vitin 2024. Megjithatë, Shqipëria vazhdon të qëndrojë dukshëm mbi mesataren rajonale.
Sondazhi i 2024 përfshiu edhe një pyetje mbi mundësinë e emigrimit brenda dhjetë viteve të ardhshme, për të matur hapjen më të gjerë të popullsisë ndaj migrimit. Në të gjithë rajonin, rreth 10% e popullsisë e konsideron të mundshme emigrimin gjatë dekadës së ardhshme. Një tjetër 8.5% deklaron “nuk e di”, çka tregon se nuk e përjashtojnë këtë mundësi. Në Shqipëri, të dyja këto grupe, së bashku me synimet afatshkurtra, e çojnë totalin e popullsisë me prirje emigrimi në 33%./Monitor