Tigrat e energjisë në Vlorë/ ‘PLUG’ denoncoi aferën 120 milionë euro të Ballukut, Ramës dhe Yuri Kim

Emisioni investigativ 'Plug' në Syri Tv, 26 nëntor 2025 

Këtu pjesa e dytë /  Projektimi, ndërtimi dhe supervizimi/ PLUG zbardhi të plotë aferën 200 milionë euro të Tunelit të Llogarasë

Pjesa e tretë

Një tjetër aferë ku është e përfshirë drejtpërdrejtë, jo vetëm Belinda Balluku dhe Edi Rama, por dhe ish-ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, janë tigrat e famshëm të prodhimit të energjisë të vendosur në triportin e Vlorës. ‘Plug’, pak muaj më parë, publikoi një emision, që faktonte aferën 120 milionë euro në dëm të xhepave të shqiptarëve, por njëkohësisht edhe fakte tronditëse, që tregojnë se Shqipëria ka blerë naftë për tigrat pikërisht në kompani të lidhura me Gardën Revolucionare të Iranit, që është e saksionuar nga SHBA.

Në datën 28 shkurt të këtij viti, ‘Plug’ publikoi një investigim në lidhje me dy TEC-et lundruese të pagëzuar me emrin “Tigri1 dhe Tigri3”, të cilët pritet t`u kushtojnë qytetarëve shqiptarë plotë 120 milionë euro, ku përfshihen kostot e qirasë, mirëmbajtjes, operimit, karburantit etj.

Prej tre vjetësh anijet gjeneratorë të ankoruara në Triportin e Vlorës, nuk kanë prodhuar asnjë kilovat orë, ndërsa kostoja ditore e tyre, ku përfshihet qiraja, karburanti dhe shpenzimet e mirëmbajtjes llogaritet në 100 mijë euro në ditë, apo 70 milionë euro për dy vjet.

Madje, vetë procedura e marrjes me qira është bërë në shkelje të ligjeve të vendit, ndërsa gara dhe fituesi kanë qenë të paracaktuar.

Dëshmitë publike të ish ambasadores Yuri Kim, që tashmë është drejtuese e një prej kompanive që solli TEC-et lundruese në Shqipëri dhe veprimet e Kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij Belinda Balluku, janë faktet që provojnë se fituesi për TEC-et lundrues u paracaktua dhe u përdorën paratë e qytetatëve për interesa personale lobimi dhe jo vetëm.

‘Plug’ zbuloi gjithashtu se ministrja Belinda Balluku vendosi të marrë me qira dy agregatët, të cilët ishin nxjerrë jashtë përdorimit nga kompania që i dispononte që në vitin 2018 për shkak të kostove të larta të mirëmbajtjes dhe kostove të larta të prodhimit të energjisë nga to.

Skandali thellohet dhe më tej, për shkak se edhe pse deri më tani këto gjeneratorë nuk janë vënë në punë dhe nuk kanë prodhuar asnjë kilovat energji elektrike, taksapaguesit shqiptarë kanë shpenzuar së paku 40 milionë euro. Këto pagesa kanë shkuar për blerje karburanti, ruajtjen e gjeneratorëve, ndërtim infrastrukture etj.

Pagesat nuk ndalen me kaq. Nga ana tjetër, ortakët e kompanisë që i ka ofruar me qira shtetit shqiptarë dy gjeneratorët që nuk prodhojnë energji, kanë shpenzuar rreth 50 milionë dollar deri më tani dhe të gjitha janë injektime parash nga ortakët për të paguar ortakun Recno spa. Ndërsa kapitali rritet ndjeshëm, kjo kompani nuk deklaron asnjë bilanc.

Taksapaguesit shqiptar do të  paguajnë 94 500 dollarë në ditë apo 70 milionë dollarë në dy vite, dhe 10 % e kësaj shume shkojnë për një aksioner i cili rezulton i fshehtë.

Nuk dihet nëse ky aksioner është një zyrtar, një shtetas shqiptar apo i huaj. Por kushdoqoftë ai, i takon SPAK që të hetojë dhe të zbulojë se kush është përfituesi fundor i miliona eurove nga taksapaguesit shqiptarë.

Një tjetër skandal është fakti se Shqipëria mund të jetë përfshirë në blerjen kontrabandë të naftës që do të përdorej për vënien në punë të këtyre anijeve. Dokumentat e publikua nga ‘Plug’, hodhën dritë se në këtë operacion janë përfshirë kompani turke dhe iraniane, të cilat janë të sanksionuara nga SHBA, ndërsa dyshohet se janë financuese të Gardës Revolucionare të Iranit./Syri.net/