36 të vdekur/ Pamje nga zjarri në gradaçelat e Hong Kong-ut. Çfarë dyshohet se po i favorizon flakët

Vijon të përhapet zjarri që ka përfshirë gradaçelat në Hong Kong. Sipas bilancit më të fundit të autoriteteve, të paktën 36 persona kanë humbur jetën, ndërsa 279 të tjerë raportohen të zhdukur. Po ashtu, 29 persona janë dërguar në spital.

Pamjet që qarkullojnë gjatë orëve të fundit në mediat ndërkombëtare tregojnë disa rrokaqiej të përfshirë nga flakët, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar horizontin e qytetit kinez.

Zjarri ka vazhduar për orë të tëra, me 767 zjarrfikës të angazhuar në operacion. Shkaku ende nuk është përcaktuar, por disa detaje paraprake janë bërë publike.

Ku nisi zjarri?

Flakët shpërthyen në Wang Fuk Court, një kompleks i madh banimi në zonën Tai Po të Hong Kongut, rreth orës 14:51 me orën lokale, të mërkurën. Komplekset e Wang Fuk Court përbëhen nga tetë pallate me 31 kate secili, dhe vatra zjarri janë identifikuar në shtatë prej tyre, sipas një zyrtari lokal që foli për BBC Chinese.

Sipas të dhënave të censusit të vitit 2021, në këto ndërtesa ndodhen 1.984 apartamente, ku banojnë rreth 4.600 persona. Të ndërtuara në vitin 1983, godinat ishin në proces rinovimi dhe fasadat ishin të mbuluara me skela prej bambuje.

Pamjet video tregojnë se zjarri është përhapur me shpejtësi pikërisht për shkak të këtyre skelave. Disa banorë kanë deklaruar për mediat lokale se alarmet e zjarrit nuk janë aktivizuar.