SYRI TV/ Durrës, konflikt mes dy nxënësve, plagoset disa herë me thikë një 15 vjeçar

Pranë gjimnazit publik 'Dom Nikollë Kaçorri', dy grupe nxënësish janë përplasur me thikë dhe shufra hekuri.Nga konflikti ka mbetur i plagosur rëndë një 15-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje kritike në spitalin rajonal.Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 14-vjeçar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Nga SYRI TV

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku dy nxënës të gjimnazit publik “Dom Nikollë Kaçorri” janë konfliktuar me thikë dhe shufra hekuri. Si pasojë ka mbetur i plagosur rëndë një 15-vjeçar, ndërsa autori i dyshuar është një 14-vjeçar.

Ngjarja ndodhi të martën, 25 nentor, në rrugën “Laguna e Karavastasë”, në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

15-vjeçari ka marrë 4 plagë në trup dhe ndodhet në gjendje të intubuar në spitalin e Durrësit, ndërsa autori i dyshuar është arrestuar nga policia.

Zanafilla e konfliktit është sherri në rrjetet sociale, ku autori kishte ofenduar shokun e të plagosurit.

Të dy të rinjtë lanë takim për t’u sqaruar dhe të dy ishin shoqëruar nga disa shokë. Debati mes dy grupeve të nxënësve agravoi deri në përdorimin e thikës dhe shufrave të hekurit.

14-vjeçari goditi disa herë me thikë në pjesën e gjoksit 15-vjeçarin, i cili është në gjendje kritike në reanimacion. Mjeku kirurg Fitim Shini ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të 15-vjeçarit të plagosur.

Autori i dyshuar 14-vjeçar akuzohet për veprat penale “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të ftohta”. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe personave të tjerë të përfshirë në plagosje.