Saraçi: Jemi vendi unikal në botë që mbajmë në detyrë si zv/kryeministre një të pandehur për korrupsion
Pezullimi nga detyra i zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka hapur një debat të gjerë mbi ndarjen e pushteteve
Kryeministri Edi Rama e cilësoi veprimin e SPAK si një ndërhyrje që cënon integrimin. Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend demokratik ku gjykata ndërhyn në pushtetin ekzekutiv. Për kryeredaktorin e Syri. Tv Romir Saraçi kemi të bëjmë me një narrativë të kryeministrit Rama për të zhvendosur debatin publik nga akuzat për korrupsion drejt një narrative të sulmit ndaj qeverisë.
I ftuar në studion e 'Task Force' në Syri Tv, Saraçi thotë se pretendimi i kryeministrit nuk qëndron, pasi në vende të tjera perëndimore ka pasur raste të shumta të arrestimit të kryebashkiakëve, ministrave apo deputetëve në detyrë.
“Për pjesën e bllokimit të integrimit, lufta kundër korrupsionit është një nga pikat kyçe dhe kjo është një nga ato meritat e drejtësisë së re që na çoi para dhe jo e kundërta.
Por kryeministri pak ditë më parë doli tha që jemi i vetmi vend në botë apo i vetmi vend demokratik apo krahasuar me vendet perëndimore që gjykata, një sistem drejtësie ndërhyn në pushtetin tjetër duke pezulluar zëvëndës kryeministrin në detyrë.
Gjë që nuk është e vërtetë, sepse nuk jemi ne vendi i parë sepse ka pasur në në shtete të tjera që janë arrestuar në detyrë kryebashkiakë, drejtues, ministra, deputetë dhe nuk jemi vendi i parë.
Por ne jemi vendi i parë në Europë dhe në botë që mbajmë në detyrë një zëvëndës kryeministër, që qëndron në detyrë një zëvëndëskryeministre e pandehur edhe me akuzë nga SPAK dhe për më tepër, e pezulluar nga gjykata për shkak të këtyre abuzimeve. Pra jemi vend unikal në botë" thotë Saraçi.
Debati real nënvizon Saraçi nuk duhet të jetë nëse gjykata ka apo jo të drejtë të veprojë, por nëse Balluku dhe Rama kanë vjedhur apo jo 50 milionë eurot për të cilat akuzohen dhe në vend që të sulmojë, kryeministrit i takonte të dilte para opinionit publik dhe të jepte sqarime për akuzat e rënda.
"Mjafton të ndjekë shembullin e vendeve të Bashkimit Europian, të cilëve sapo del një indicie publike që mund të jetë i përfshirë në korrupsion, ai zyrtari është direkt i dorëhequr. Kanë dhënë dorëheqjen dhe për blerje biberoni, për qumësht për fëmijën në vendet europiane.
Jo më këtu që janë renditur një sërë akuzash që të çojnë tek korrupsioni. Ajo çfarë është problem për diskutimin që ne në Shqipëri, jo ne në këtë panel, por në tërësi po i bëjmë kësaj çështje, është që kemi shkuar prapë tek karremi i propagandës së Edi Ramës.Dhe prej kohësh kemi nisur diskutimin, ka të drejtë gjykata apo s'ka të drejtë gjykata të japi masën e sigurisë. Ka shkuar deri në fund duke e cilësuar 'puç kushtetues'. Ndërkohë pyetja dhe diskutimi nuk duhet të jetë fare ky. Diskutimi duhet të jetë, a i ka vjedhur, a nuk i ka vjedhur Belinda Balluku dhe Edi Rama 50 milionë euro?
Nuk bëhen gjyqe popullore, por ama qytetarëve të cilët dyshohet se i janë vjedhur ato 50 milionë euro, taksat e tyre, duhet të sqarohen për atë që ka ndodhur. Dhe ky nuk është gjyq popullor. Të dali kryeministri i vendit, në konferencë për shtyp… I takonte kryeministrit që të dilte të bënte sqarimin e opinionit publik dhe të siguroj unë që as ne këtu nuk do ishim duke folur por edhe shumë studio të tjera" shtoi më tej ai.
Kjo situatë është pjesë e një strategjie propagandistike që synon të viktimizojë zyrtarët e akuzuar dhe të orientojë debatin.
"Nuk po bëhet transparenca po orientohet debati. Tani po shkojmë që po i qajmë hallin Belinda Ballukut. Dje i qanim hallin Erion Veliajt. Shiko se gjynah që është i arrestuar se duhet të drejtojë punët e komunales së bashkisë. Sot përfundojmë po i qajmë hallin dhe Belinda Ballukut që gjynah se po i bllokohet puna" komentoi kryeradaktori i Syri TV, Romir Saraçi i ftuar në studion e "Task Force' me gazetaren Sonila Meço.